Veturave më të vjetra se 10 vjet mund t’u lejohet importi në Kosovë

Ligjit për ndalimin e importit të veturave më të vjetra se 10 vjet mund ti vie fundi. Lejimin e importit të veturave më të vjetra e mirëpresin qytetarët të cilët thonë se kushtet ekonomike nuk ua lejojnë të gjithëve të blejnë vetura të reja. Por, kërkohet që veturat të mos jenë më të vjetra se viti 2006

Ilustrim

E prodhuar në mesin e viteve të ’80-ta, Golf 2 është ndër veturat më të shpeshta që hasim në rrugët e Kosovës, por nga muaji janar i vitit 2018-të, Kuvendi i Kosovës ndaloi importin e Golf “dyshit” dhe veturave tjera më të vjetra se 10 vjet.

Mirëpo, sipas një dokumenti të publikuar, pritet të lejohet importi i veturave më të vjetra se 10 vjet, ndonëse me akcizë të dyfishuar.

Mundësia e lejimit të importit të këtyre veturave është duke u shqyrtuar, këtë e konfirmon edhe Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

Hysen Durmishi, zëvendësministër i Infrastrukturës

“Jemi në plotësim-ndryshim të këtij ligji, por është në fazë shumë të hershme, pasi është edhe një element i cili duhet të punohet në të. Është çështja e ndotjes së ambientit nga veturat, dhe për këtë duhet edhe kontrollimi i veturave, pasi me raste mund të ndodh që ndotje shkaktojnë edhe veturat 5 vjet të vjetra”.

”Prandaj, para se të propozohet ndryshimi i ligjit duhet të punohet në shtimin e kontrollit të veturave që hyjnë në Kosovë. Mirëpo, për ndryshim të këtij ligji së pari duhet të organizohet edhe dëgjim publik e pastaj për këtë çështje vendos Kuvendi i Kosovës”, është shprehur Durmishi.

Pro ndryshimit të këtij ligji është edhe qytetari Kujtim Ajeti, i cili thotë se kushtet ekonomike u’a pamundësojnë qytetarëve blerjen e veturave të reja.

“Është shumë e drejtë që duhet të lejohet në shtetin tonë për arsye që ekonomikisht si shtet jemi shumë të dobët, edhe nuk mund ta përballojmë të kemi kushte më të mira për të pasur makina të shtrenjta”, ka thënë Ajeti.

Kujtim Ajeti

Por, mendim tjetër ka profesori universitar Naser Lajqi i cili thotë se nuk duhet lejuar importi i veturave të prodhuara më herët se viti 2006-të.

“Edhe në qoftë se i lëmë më të vjetra se 10 vjet, edhe aty duhet të ketë një kufi të caktuar. Në qoftë se i referohen emetimit të gazrave dalëse, unë mendoj se duhet patjetër ta plotësojmë minimum kushtin e Euro 4, që i bie viti 2006-të me qenë ai viti i fundit në të cilin do kishim mundur të importojmë,” ka thënë Lajqi.

Naser Lajçi, Profesor në Fakultetin e Inxhinieris Mekanike në UP

Ndërsa njohësi i Komunikacionit, Bekim Ahmeti thotë se nëse lejohen veturat më të vjetra, duhet që ato vetura që importohen të jenë në gjendje të mirë teknike.

Por, kundër lejimit të importit të këtyre veturave është Valon Raka nga organizata për mbrojtje të Mjedisit “Gjethi”.

“Kosova ka një problem serioz me ndotjen e ajrit dhe numrin e madh të automjeteve, që tani janë në qarkullim, e ku shumë prej tyre janë të vjetruara. Rajoni më i prekur është Prishtina si kryeqendër”.

Valon Raka

”Ne e dijmë se deri në vitin 2035, Bashkimi Europian planifikon që të ndalë shitjen e makinave me derivate. Ne nuk mund të jemi pro për arsye tjera duke e ditur se ne si shtet jemi zotuar që të jemi pro agjendës së gjelbër evropiane, natyrisht kjo shkon edhe drejt trendit global, i cili është ulja e emetimit të gazrave”, është shprehur Raka.

Sipas statistikave, mesatarja e vjetërsisë së veturave që qarkullojnë në Kosovë është 18 vjet, që konsiderohet për 10 vjet më e vjetër se veturat që qarkullojnë në shtetet e BE-së.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika