Beogradi po përgatitet për atë që mund të jetë protesta më e madhe në historinë e Serbisë, e udhëhequr nga studentët, të cilët që prej nëntorit të vitit të kaluar kanë kërkuar përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad. Tubimi, i cili do të mbahet më 15 mars, pritet të mbledhë qindra mijëra qytetarë në rrugët e kryeqytetit serb, duke sfiduar regjimin e presidentit Aleksandër Vuçiq.

Protestat, që fillimisht nisën si reagim ndaj shembjes së një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 15 persona, janë shndërruar në një lëvizje masive kundër qeverisjes së Beogradit. Studentët kanë bllokuar fakultete dhe rrugë për muaj të tërë, duke kërkuar drejtësi dhe sundim të ligjit.

Profesori universitar nga Beogradi, Ivan Videnoviq, në një intervistë për Televizionin Dukagjini, ka thënë se kjo protestë mund të jetë një pikë kthese në historinë politike të Serbisë.

Ai vlerëson se frika është thyer dhe se njerëzit nuk do të ndalen më nga kërcënimet e Vuçiqit, i cili ka paralajmëruar për një skenar të dhunshëm dhe arrestime masive.

Në intervistë, Videnoviq ka theksuar se ky është vetëm fillimi i një ndryshimi të madh, i cili mund të ndikojë në të gjithë Ballkanin.

Intervista e plotë me profesorin universitar në Beograd, Ivan Videnoviq

Si është gjendja në Serbi një ditë para protestës?

Videnoviq: “Qyteti jonë është hektik sot duke pritur turmat më të mëdha që ky qytet ndonjëherë ka parë, me siguri do të jetë më e madhe se ajo e vitit 2000 kur ne e hoqëm Millosheviqin nga pushteti. Ne po presim që protesta nesër të jetë dyfish më e madhe, gjysmë milioni ose ndoshta do ta mbërrij edhe 1 milionë të njerëzve. Ka qindra mijëra njerëz që kanë ardhur nga të gjitha qytetet e Serbisë, të udhëhequr nga studentët të 5 universiteteve në Serbi, që vijnë me ta, njerëz ndaras me automjete, do të jetë shumë shumë tollovi nesër. Siç e dini, protestat e studentëve këtu kanë zgjatur tash e 4 muaj e gjysmë. Është protestë e sinqertë e të rinjve që kërkojnë përgjegjësi, kontroll dhe balancë, sundim të ligjit, dhe që kërkojnë që drejtësia bazike të ofrohet për  të gjithë qytetarët, pa dallim”.

Çka pritet të ndodhë më 15 mars në Beograd, dhunë?

Videnoviq: “Çka presim nesër, si mësues të tyre por edhe qytetarët te Beogradit, presim që të shohim një protestë tjetër spektakolare por të qetë, kundër tiranisë, që aktualisht është kryesisht përmes propagandës, gjyqësisë, prokurorisë. Por, ka definitvisht edhe kërcënime se mund të kthehet në protestë të dhunshme. Këto kërcënime kryesisht vijnë nga Vuçiqi dhe ai është i vetmi person në këtë vend, i cili po përmend skenarët e dhunës dhe gjakut për nesër. Ai në mënyrë të përsëritur ka provuar t’i frikësoj njerëzit me mundësinë e shpikur të dhunës dhe që ndoshta në këtë mënyrë do të ndaleshin dhe nuk do të vinin në Beograd. Vuçiqi është burimi kryesor i destabilitetit në këtë vend. Pse është kështu? Mendoj, sepse ai është përfaqësues i krahut nacionalist dhe të djathtë në këtë rajon, që është në pushtet tash e 35 vjet”.

Kush po e mbështetë Vuçiqin e kush studentët?

Videnoviq: Ajo çka po bëjnë aktualisht studentët është se ata kanë shumë përkrahje, nga vendet e rajonit, nga Mal i Zi, nga Bosnje Hercegovina, nga Sllovenia, veçanërisht nga Kroacia, pra po shohim një energji, dinamikë të re që po ndodh ndërmjet këtyre njerëzve të rinj, që tani janë të afërt përmes mediave sociale, të cilët po punojnë së bashku, duke u kthyer kështu në kërcënim të madh për Vuçiqin dhe bashkëpatriotët e tij, të cilët punojnë mbi nocionin se po kërcënohet populli. Ai po transmeton këto mesazhe, se shteti ynë është i rrezikuar nga të gjitha anët, dhe na ka bërë armiq virtualisht me të gjitha shtetet në Ish-Jugosllavi, ai po promovon me të vërtetë këto ide se serbët duhet të jenë të afërt me njëri-tjetrin, introvert dhe të kujdesen për punët e tyre. Studentët ndërkaq po e bëjnë krejt të kundërtën, studentët janë të hapur, zemërgjerë, po përkrahen nga qytetarët, ka shumë lot e përqafime, shumë lumturi që po shfaqet në këtë formë në vendin tonë”.

A prisni të rrëzohet Vuçiqi nga pushteti?

Videnoviq: “Shpresoj se kjo protestë përfundon e qetë por nuk jam i sigurt nëse ky është fundit, mendoj se ky në fakt është fillimi dhe kjo që është nisur nuk ka mundësi të ndërpritet me ndonjë formë të frikës, nënshtrimit, që ne jemi mësuar ta shohim para 1 nëntorit 2024 kur u rrëzua ndërtesa në Novi Sad, për shkak të aktivitete korruptive dhe kriminale të qeverisë. Gjërat nuk do të kthehen më kurrë mbrapa dhe shpresoj se nuk do të përfundojnë nesër por do të ndryshojnë në muajt në vazhdim ose edhe vite. Frika është thyer, njerëzit po e ndjejnë lirinë, kanë dal dhe kanë filluar të marrin frymë përsëri dhe jo të jenë vazhdimisht të frikësuar nga mediat qeveritare, pushtetarët dhe vet Vuçiqi.

Mendoj se ndryshimi këtu ka filluar dhe mendoj se nga ky ndryshim do të përfitojnë të gjithë fqinjët tanë në Ballkan dhe shpresoj të shoh të ardhme të qetë, të ndritshme dhe e begatë për të gjithë popujt dhe shtetet në Ballkan”.