Tre persona janë arrestuar në Prizren nën dyshimin se janë përfshirë në veprën penale të fajdesë.
Policia e Kosovës, përmes Sektorit Rajonal të Hetimeve në Prizren dhe Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka zhvilluar më 18 gusht një operacion për arrestimin e personave të dyshuar.
Sipas njoftimit të përbashkët të Policisë dhe Prokurorisë, të arrestuarit janë B.S., F.S. dhe A.D.
B.S., përveç fajdesë, dyshohet edhe për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “aksident trafiku me lëndime”. Sipas autoriteteve, gjatë tentimit për t’iu shmangur arrestimit, ai ka goditur me veturë një zyrtar policor dhe një qytetare, duke i lënduar ata.
Autoritetet thonë se të dyshuarit në vazhdimësi kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të përfitimit të interesit nga veprimtaria e fajdesë. Sipas hetimeve, viktima është detyruar të veprojë në dëm të pasurisë së tij, ndërsa të dyshuarit dyshohet se i kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Gjatë operacionit janë kontrolluar tri lokacione në komunën e Prizrenit, ku janë sekuestruar prova të ndryshme materiale, të cilat pritet të përdoren në procedurën penale.
Pas intervistimit, me aktvendim të prokurorit, ndaj tre të dyshuarve është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.
