“Në mënyrë të padrejtë, të papranueshme dhe tërësisht jodemokratike, Policia e Kosovës arrestoi Sonilën. Babadimri siç duket nuk e duron fjalën e lirë; nuk e duron protestën; nuk i duron fletushkat që shpalosin të vërtetën për të!”, kështu ka reaguar kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj.

Ky reagim i Molliqajt erdhi pasi aktivistja e këtij subjekti politik, Sonila Pllashniku, është arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pasi ajo ka ndërprerë fjalimin e kryeministri Albin Kurti me fishkëllima.

“Bilanci i vitit është negativ për Babadimrin kryeministër”, ka vlerësuar ai, teksa ka shtuara se Kurti ka bërë “shumë dhurata për partinë, e shumë dëme për Kosovën”.

“Po realizohet Zajednica; po dënohet UÇK-ja; po keqarsimohet rinia. Nuk ka kohë për shfaqjet festive të kryeministrit!”, ka shkruar tutje Molliqaj.

Më tutje, Molliqaj e ka akuzuar për favorizimin e arsimin privat në Kosovë dhe prishjen e perspektivës së atij publik.

“Kjo qeveri që e kapi Universitetin, ia uli buxhetin universiteteve publike, zvogëloi pagat e profesorëve, favorizoi arsimin privat, nuk është e mirëpritur në hapësirat universitare!”, ka përfunduar Molliqaj.