Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i AAK-së, Ramush Hardinaj dhe nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, kanë mbërritur në zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë, për t’u takuar me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak.

Haradinaj është i shoqëruar edhe nga shefi i deputetëve të kësaj partie, Besnik Tahiri.

Në këtë takim, Lajçak pritet të bisedojë për draft-statutin e Asociacionit.

Para takimit me udhëheqësit e partive opozitare, Lajçak është takuar me ambasadorët e akredituar në Kosovë.

Ndërkaq, mbrëmjen e së hënës, emisari special i BE-së është takuar me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi.

Vizita e Lajçak në Kosovë rreth dhjetë ditë pas takimeve të fundit në Bruksel më 26 tetor, kur kryeministri Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, zhvilluan bisedime të ndara me liderët e Gjermanisë, Francës dhe Italisë, së bashku me zyrtarë të BE-së.

Para këtyre takimeve, pesë emisarët perëndimorë, në krye me Miroslav Lajçak, vizituan Prishtinën dhe Beogradin më 21 tetor dhe prezantuan një draft-statut për Asociacionin, një model modern evropian, por për të cilin përmbajtja ende nuk është bërë e ditur deri më tani.