Pas raportimeve për reshje të dendura dhe vërshime në komunën e Rahovecit, situatë e ngjashme është regjistruar edhe në Prizren, Viti, Ferizaj dhe disa zona të tjera të Kosovës, ku shirat e rrëmbyeshëm kanë shkaktuar probleme në qarkullim dhe përmbytje lokale.
Në Prizren, reshjet kanë shkaktuar rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, duke bërë që ura pranë Parkut të Qytetit të mbulohet nga uji dhe të vështirësohet qarkullimi në këtë pjesë të qytetit.
Pamjet e publikuara nga TV Prizreni tregojnë se uji ka dalë mbi sipërfaqen e urës, duke krijuar vështirësi për këmbësorët dhe drejtuesit e automjeteve. Në disa lagje janë raportuar gjithashtu rrugë të mbuluara nga uji dhe probleme në lëvizje.
Ndërkohë, raportime për vërshime dhe grumbullim të madh të ujit kanë ardhur edhe nga Vitia, Ferizaj dhe komuna të tjera, ku reshjet intensive kanë përmbytur rrugë, oborre shtëpish dhe sipërfaqe të ndryshme, duke shkaktuar vështirësi për qytetarët.
(VIDEO) Reshjet e rrëmbyeshme përmbytin disa zona të Rahovecit, vështirësohet qarkullimi