Policia e Kosovës ka nxjerrë autoblindën që dyshohet se është gjetur në malet e fshatit Banjskë të Zveçanit, këtë të martë.

RTV Dukagjini ka siguruar pamjet e tërheqjes së autoblindës, brenda së cilës dyshohet se ka pasur lloje të ndryshme të armatimit.

Ndryshe, Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit më 24 shtator 2023.

Sipas Policisë së Kosovës, në orët e hershme të 24 shtatorit, dy kamionë pa targa ishin vendosur në urën në hyrje të fshatit Banjskë, duke e bllokuar lëvizjen.

Njësitë policore, ku ishte edhe Afrim Bunjaku, u qëlluan me armë zjarri, pasi arritën në vendin e ngjarjes.

Bunjaku nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Incidenti ku u vra ai shënoi fillimin e një përleshjeje të armatosur në mes të Policisë së Kosovës dhe një grupi të armatosur në Zveçan.