Policia e Shtetit të Shqipërisë e ka arrestuar një 20-vjeçar nga Prishtina, i cili transportonte armë nga Kosova për në Tiranë.

“Si rezultat i tij, në afërsi të pallatit “Asllan Rusi”, u kap dhe arrestua në flagrancë shtetasi L. B., 20 vjeç, banues në Prishtinë, Kosovë. Gjatë kontrollit të automjetit tip “BMW”, që 20-vjeçari drejtonte, shërbimet e Policisë gjetën të fshehura dy armë zjarri pistoleta, me krëhër e municion luftarak, të cilat i kishte sjellë në Shqipëri për ti shitur tek persona të tjerë. Armët e zjarrit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin dhe aparatin celular të 20-vjeçarit”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shqipërisë.

“Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një shtetas që dyshohej se kishte transportuar armë zjarri, nga Kosova drejt Shqipërisë, me qëllim shitjen e tyre, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Transportuesi””, kanë shtuar Policia e Shqipërisë.

Më tej, policia e shtetit ka treguar se çfarë i ka sekuestruar të riut nga Kosova.

“Sekuestrohen dy armë zjarri pistoleta, krëhra e municion luftarak, një automjet dhe një aparat celular”, thuhet në komunikatën e Policisë së Shqipërisë.

Ndërkohë, policia ka përfunduar duke thënë se ata janë duke punuar për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.