Tensionet u rritën ndjeshëm në qendër të Beogradit të martën pas një bastisjeje nga policia në zyrat e Rektoratit të Universitetit të Beogradit.

Qytetarë, studentë dhe profesorë u mblodhën para Rektoratit pasi policia hyri në ndërtesë në kuadër të hetimeve për vdekjen e një studenteje të Fakulteti Filozofik i Beogradit, e cila u gjet e vdekur më 26 mars.

Megjithatë, Policia e Beogradit dhe njësitë e Xhandarmërisë u përplasën ashpër me protestuesit në sheshin “Republika” që tash e shumë kohë protestojnë edhe kundër regjimit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Siç raporton N1, të gjithë policët dhe pjesëtarët e xhandarmërisë mbanin maska në fytyrë.

U raportuan disa incidente ku policia reagoi me dhunë, si në sheshin e “Studentëve”, ashtu edhe në sheshin “Republika”, disa orë para një proteste të thirrur për shkak të bastisjes.

Turma vazhdimisht brohoriste fyerje, përfshirë inicialet e presidentit serb AV, duke imituar lepuj dhe duke i quajtur policinë dhe Xhandarmërinë tradhtarë.

Transmetimet live treguan se si xhandarmët dhe policët sulmonin pjesëtarët e turmës me shkopinj, duke lënduar disa persona dhe duke arrestuar një të ri që u plagos.

Rektori Vladan Djokiq deklaroi se ndërhyrja e policisë nuk kishte të bënte me hetimin, por me frikësim, duke kërkuar një hetim të pavarur për rastin.

Nga ana tjetër, drejtori i policisë Dragan Vasiljeviq tha se veprimi ishte kryer me urdhër të gjykatës dhe se rendi publik u rivendos me “përdorim minimal force”.