Ashtu siç e nisi vitin 2023, Kosova edhe e përmbylli atë sa i përket procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.

Për 12 muaj, shteti nuk arriti t’i bashkohet asnjë mekanizmi ndërkombëtar.

I vetmi progres i dukshëm ishte pranimi i aplikimit për anëtarësim në Këshillin e Evropës, hap ky që shënon kalimin e fazës së parë të procesit.

Më 24 prill, Komiteti i Ministrave vendosi me dy të tretat e votave që kërkesën për anëtarësim t’ia përcjellë Asamblesë Parlamentare për procedura të mëtutjeshme.

Javë më vonë, Këshilli i Evropës dërgoi në Kosovë një ekip eminent të ekspertëve për të shqyrtuar përshtatjen e sistemit ligjor me standardet e veta.

Punën e tyre ata e përmblodhën në një raport i cili u publikua në nëntor. Përmbajtja e tij nga dikush u konsiderua pozitive, kurse nga dikush tjetër si negative.

Pozitivisht u vlerësua konstatimi se legjislacioni në përgjithësi janë në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Kurse si jo i favorshëm u konsiderua përmendja e komentimit tw vendimeve gjyqësore, moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pronën e Manastirit të Deçanit, si dhe moszbatimi i marrëveshjes për themelimin e Asociacionit.

Raporti i ekspertëve tani do t’i shërbejë Asamblesë Parlamentare në hartimin e opinionit për Komitetin e Ministrave të Këshillit të Evropës.

Mirëpo akoma pa përgjigje, Kosova është për një aplikim të rëndësishëm që ka bërë dhjetorin e vitit 2022, atë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Për këtë veprim që u vlerësua si historik, tash e një vit Brukseli nuk ka ndërmarrë asnjë veprim, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat.

Këtë vit, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Dritëro Arifi e vlerëson si të çuar dëm në politikën e jashtme.

“Në këtë aspekt mund të themi që është një vit i dështuar me orvatje shumë të mëdha, por i dështuar në substancë sepse nuk është arritur as pragu minimal, vetëm hapi i parë është bërë që nuk është i mjaftueshëm për një shtet që gjendet në kontinentin e Evropës. Prandaj kjo politkë duhet të ndryshojë rrënjësisht sepse në njëfar mënyre orvatjet tona kanë hasur jo në një mirëkuptim të duhur nga partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Dritëro Arifi, Profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare.

Për të pasur rezultate, njohësi tjetër i marrëdhënieve ndërkombëtare, Akri Çipa thotë se nevojitet një strategji më e qartë në angazhimin me palët nëpër organizata dhe partnerët e Kosovës.

“Viti 2023 theksoi edhe njëherë vështirësitë strukturore dhe diplomatike që paraqet ky proces për shkak se edhe qeveritë e tjera të mëhershme kanë bërë përpjekje dhe një sërë prej tyre kanë qenë të suksesshme, një sërë përpjekjesh tjera kanë ngelur për shkak të mungesës së vullnetit politik që kanë shfaqur vendet anëtare të këtyre organizatave dhe sigurisht edhe problematikat që lidhen me vendet të cilat në mënyrë aktive i kanë kundërshtuar këto anëtarësime”, ka shtuar Akri Çipa, Njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.Kosova është anëtare e tetë organizatave ndërkombëtare, ndërsa nuk është pjesë e tetë organizatave tjera.

Pavarësisht pengesave të vazhdueshme nga Serbia, synimi kryesor i shtetit mbetet anëtarësimi në BE, NATO dhe OKB.