Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arben Vitia, ka konfirmuar se nuk ka asnjë ndryshim sa i përket kandidatit për kryetar të Kuvendit në seancën konstituive të sotme. “Jo, në asnjë mënyrë”.
“Po presim përgjigje edhe nga Gjykata Kushtetuese, nuk pritet të ndryshojë as forma e votimit”, tha ai.
Vitia theksoi se konstituimi i Kuvendit është urgjent dhe duhet të ndodhë sa më parë.
Ndryshe, Deputetët do të drejtohen sërish në Kuvendin e Kosovës – sot për herë të 17-të – në tentim për konsituimin e përbërjes parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt.
Që nga betimi i deputetëve më 19 prill, seanca ka ngecur në pikën për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri.
Të enjten, pas një takimi të thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me përfaqësues të partive politike, Osmani tha se nuk pati pajtim rreth konstituimit të Kuvendit, por shtoi se kishte parë një “disponim minimal” tek liderët partiak për të gjetur një zgjidhje për këtë çështje.
Po atë ditë, deputetët nuk arritën ta bëjnë konstituimin e Kuvendit, pasi Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe refuzuan sërish që ta propozonin një përfaqësues që do të siguronte mbarëvajtjen e votimit të fshehtë.
Fillimisht, Lëvizja Vetëvendosje kishte propozuar për kryeparlamentare Albulena Haxhiun, por ajo s’arriti t’i marrë 61 votat e nevojshme asnjëherë.
Pas gjashtë tentimeve për ta bërë Haxhiun kryeparlamentare, më 1 maj, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, propozoi që zgjedhja e kryeparlamentarit të ri të bëhet përmes votimit të fshehtë – gjë që është dërguar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës nga partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë.
Ato thonë se është jokushtetuese mënyra se si LVV-ja po tenton që kryeparlamentari të votohet përmes formës së fshehtë, dhe i kanë kërkuar Kushtetueses të marrë “një masë të përkohshme për ndalim të mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe ta marrë një vendim”.