Policia e Kosovës ka njoftuar se nga data 13 prill deri më 15 prill 2023, në Republikën e Kosovës do të qëndrojë për vizitë kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq, së bashku me një delegacion shoqërues.

Policia e Kosovës gjatë kësaj vizite do të kujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mirëmbajtjen e rendit e qetësisë publike gjatë kohës së lëvizjes së eskortës dhe qëndrimit të delegacionit shtetëror në vendin tonë.

“Për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim sipas itinerarit të lëvizjes, Policia e Kosovës do të bëjë ndërprerje të përkohshme të qarkullimit të trafikut (në intervale të shkurta kohore), të disa segmenteve rrugore ku pritet të kalojë eskorta, si dhe në lokacione të caktuara ku parashihen të realizohen vizitat e që ndërlidhën me rrugë që shpien në drejtim të institucioneve shtetërore.

Gjithashtu, ju njoftojmë se në disa segmente rrugore do të ketë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve, do të ketë riorientim të trafikut në rrugë alternative, andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik”, thuhet në njoftim.

Përndryshe, kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, do të qëndrojë në vizitë triditore zyrtare në Kosovë.

Përgjatë kësaj vizite, Abazoviq do të zhvillojë takime me krerët e shtetit dhe liderët institucionalë.

Në takimin ndërmjet dy kryeministrave, Albin Kurti dhe Abazoviq do të nënshkruajnë marrëveshje bilaterale për korridorin e qiellit të hapur, me të cilin parashihet lejimi i shfrytëzimit të hapësirës ajrore të Malit të Zi nga aeroplanët që fluturojnë nga Aeroporti i Prishtinës.

Kryeministri i Malit të Zi, gjithashtu, do të takohet edhe me kryetarin e komunës së Prishtinës Përparim Rama, nga i cili do të pranojë Çelësin e Prishtinës.

Të premten, Abazoviq do të zhvillojë takime me drejtues të partive politike parlamentare.

Ai do të takohet me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqin, dhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhikun.

Në vazhdën e vizitës së tij, ai do të takohet edhe me dy ish-presidentët e Kosovës, Atifete Jahjagën dhe Behgjet Pacollin.

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, Abazoviqi do të takojë zëvendëskryeministren e Kosovës Emilija Rexhepi, grupin multietnik në Kuvendin e Republikës së Kosovës, dhe ministrat nga komunitetet joshumicë.