Vizita e familjarëve të të zhdukurve në Kalludër të Vogël, Gara: Shpresojmë që sa më shpejt të identifikohen

Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se vizita e familjarëve të personave të zhdukur, të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, në Kalludër të Vogël të Zubin Potokut, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve.

Gara, në “FIVE” në Dukagjin, u shpreh se këto ditë për familjarët e personave të zhdukur përfaqësojnë dhimbje të madhe, por njëkohësisht edhe shpresë për identifikimin e të dashurve të tyre.

Tutje, Gara u shpreh se shpreson që sa më shpejt të përfundojë procesi i identifikimit të mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër, të cilat, sipas tij, mund t’u përkasin rreth 23 personave të zhdukur.

“Ka qenë kërkesë e vazhdueshme gjatë këtyre katër javëve të angazhimit në këtë lokacion, ka qenë kërkesë e vazhdueshme e familjarëve që të kemi edhe këtë lloj bashkëbisedimi por përtej kësaj meqë kemi qenë në bashkëpunim të vazhdueshëm me familjarët të kemi edhe mundësinë e vizitës së përbashkët në lokacion dhe në kuptim të një homazh të përbashkët – këto ditë të punës dhe këto data përkujtimore janë ditë të dhimbjes së madhe për të zhdukurit e familjarët e personave të zhdukur. Megjithatë, në kuptimin e angazhimit të përbashkët brenda kësaj dhimbjeje familjet po e gjejnë ngushëllimin por edhe shpresën që më të dashurit e tyre mund të identifikohen dhe më të dashurit e tyre do të kenë një varr me emër e mbiemer dhe të kenë një rivarrim të dinjitetshëm”, u shpreh Gara.

“Aktualisht kemi edhe 1,564 persona për fatin dhe vendodhjen e të cilëve nuk dihet – shpresoj që të kemi sa më shpejt identifikimin e mbetjeve mortore të gjetura në Kalludër që u përkasin rreth 23 personave dhe në momentin që kemi identifikim do të njoftohen familjarët dhe do t’i përditësojmë të dhënat”, u shpreh Gara.

Të fundit nga rubrika