Rrugët nuk i ka fortë të qarta.

Me Rusinë apo Perëndimin, është pikëpyetja e madhe, të cilës Serbia nuk po arrin t’ia gjejë përgjigjen.

Të paktën kjo mund të kuptohej deri para pak ditësh.

Vizita që ministri i Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov do të zhvillojë në Beograd më 6 dhe 7 qershor po shihet si sinjal për qartësimin e rrugës së Serbisë.

Por, sipas profesorit Milazim Krasniqi, Lavror mund të dërgojë në Beograd një skenar për destabilizimin e Ballkanit.

“Dje ka fol për idenë se do të diskutojë për Kosovën dhe kjo i bie se po tenton të gjejë elemente destabilizuese në Kosovë, e të njëjtën gjë e ka thënë edhe për Bosnjën. Atij i interesojnë përçarja e Evropës dhe të ndizet një vatër e krizës në Ballkan në mënyrë që të hiqet vëmendja prej Ukrainës. Skenari rus është i gatshëm për destabilizim të Kosovës e Bosnjës vetëm se mbetet pikëpyetje a do ta pranojë këtë presidenti serb”, ka thënë profesori, Milazim Krasniqi.

Milazim Krasniqi – profesor

Diplomati rus do të shkojë në Beograd me kërkesa të qarta për Serbinë, thotë njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi.

Sipas tij, rreshtimi ose jo i Serbisë krah Rusisë ka dy anë të medaljes.

“Lavrovi po vie me kërkesë që Vuçiqi të rreshtohet krah Rusisë dhe do të vijë me faturën për gazin rus. Nëse Vuçiqi rreshtohet krah Rusisë për ne në dialog do të jetë më lehtë”, është deklaruar Vllasi.

Njohësi i çështjeve politike, Azem Vllasi

Vizita e Sergei Lavrovit në Beograd dhe refuzimi i shtetit serb për t’i vënë sanksione Rusisë në kohën kur ajo po vazhdon pushtimin e Ukrainës, është parë si një vendim i gabuar nga ana e diplomatëve të huaj.

E mendimi i tyre duket se ka ndikuar edhe te pala serbe.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq ka thënë në një deklaratë për mediat serbe se situata rreth mbërritjes së Lavrovit në Beograd ishte “jashtëzakonisht e komplikuar”.

“Është vërtetë e pabesueshme që situata në Evropë dhe në botë është e tillë që presidenti i një vendi duhet të merret me gjëra të tilla, siç është logjistika e udhëtimit të një ministri të jashtëm, që përcakton nëse ai do të vijë apo jo”, ishte shprehur Bërnabiq.

Lavrov pritet të takohet me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë.