Vlerësohet e vonuar heqja e masave ndëshkuese ndaj Kosovës

Përfshirja e zhvillimeve të fundit në vend për mbylljen e pikave ilegale të bankave serbe në veri, kanë ndikuar në kohëzgjatjen e raportit të kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për heqjen ose jo të masave ndëshkuese për Kosovën. Nga zyra e zëvendëskryeministrit të Kosovës kanë vlerësuar se heqja e masave është vonuar gjersa njohës të fushës thonë se, largimi i tyre do të bëhet në mënyrë graduale si shkak i zgjedhjeve në BE

Pikërisht kur pritej që raporti i kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell për heqjen ose jo të masave të vendosura ndaj Kosovës të përfundohej, zhvillimet e fundit po në veri të Kosovës duket të kenë ndikuar në kohëzgjatjen e kësaj pritjeje.

E frikën për zgjatje të procesit me gjasë po e vazhdon edhe mbajtja e zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e BE-së.

Nga zyra e zëvendëskryeministrit bëjnë thirrje që kjo të mos ndodhë gjersa e vlerësojnë heqjen e masave të vonuar.

“Bashkimi Evropian duhet t’i largojë masat ndëshkuese e të padrejta ndaj Kosovës, teksa vendi ynë i ka përmbushur të gjitha kushtet e vendosura më herët, përmes marrëveshjes së Bratisllavës.Me mbajtjen dhe përfundimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, nuk ka më asnjë kuptim vazhdimi i mbajtjes së masave. Situata në terren për të cilën padrejtësisht u akuzua Kosova për eskalim, tashmë ka muaj që është deeskaluar.  Mbetemi në pritje të raportit të përfaqësuesit të lartë të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në të cilin duhet të konstatohet përmbushja e obligimeve të marra nga autoritetet tona. Çfarëdo konstatimi i ndryshëm do të ishte i padrejtë, do të përbënte shtrembërim të zhvillimeve në terren dhe domosdoshmërisht keqpërdorim të njëanshëm dhe të pakuptimtë të masave nga ana e KE. Veriu i është rikthyer normalitetit e çdo ditë po punohet në integrimin e komunitetit serb, përtej tentativave dhe qasjes destabilizuese të fqinjit tonë verior. Heqja e masave e cila është tejet e vonuar, nuk duhet të shtyhet për më tej në dritën edhe të zgjedhjeve të ardhshme në institucionet e Bashkimit Evropian. Ripërsërisim thirrjen, për heqjen e tyre sa më parë”, tha Klisman Kadiu, këshilltar i zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Pavarësisht kohës që do të marrë raporti, sipas njohësve të fushës ai nuk ka qenë i nevojshëm fare që nga fillimi.

“Është e vështirë të thuhej se sa do kohë do merrte raporti por ai nuk do duhej të përpilohej dhe t’i dërgohej Këshillit evropian për votim sepse vendimin për masat ndëshkuese e ka marrë komisioni dhe i njëjti gjithashtu, mund të marrë vendim për heqjen e masave dhe nuk ka nevojë të dërgohet një raport i tillë”, tha Seb Bytyqi, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare.

E i njëjti thotë se veprimet e fundit karshi veprimtarive ilegale në Kosovë, do ta kenë efektin e tyre në heqjen e masave.

“Pritet që të ketë një heqje graduale të masave. Mund të thuhet që ka mundësi të vonohet gjithçka për shkak të zgjedhjeve evropiane që mbahen në qershor. Edhe nëse hiqen masat, do ketë heqje të pjesshme të masave kurse sa i përket zhvillime që kanë ndodhur, psh mbyllja e bankave paralele. Këto dhe të tjera do merren parasysh në raport dhe do jenë arsyetim shtesë për heqjen graduale të masave”, tha Bytyqi.

Si shkak i hyrjes në procesin zgjedhor të BE-së, nuk pritet që Këshilli i Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare në bllokun evropian të mbaj mbledhje për asnjë çështje.

Masat ndëshkuese të vendosura nga BE-ja për Kosovën erdhën pas vlerësimit të Brukselit se vendi nuk ndërmori hapat e kërkuar për ulje të tensioneve në veri.

 

Shija e redaktorit

“Ëndrra vazhdon…”, Peja nderon Arlind Gjikollin – Gjikla, artistin dhe...

“Ëndrra vazhdon…”, kështu u tha sot në qytetin e Pejës në dyvjetorin e vdekjes së ish-drejtorit menaxhues të Telegrafit, artistit Arlind Gjikolli – Gjikla,...

S’ka shpërthim në Mitrovicë, Policia: Ka pasur hedhje të fishekzjarreve...

Para disa minutash një shpërthim i zhurmshëm u dëgjua në Mitrovicë. Shpërthimi erdhi si pasojë e hedhjes së mjeteve piroteknike në jug të qytetit....

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Të fundit nga rubrika