Vlora Çitaku rrëfen se si e filloi politikën, si u ndërtua shteti i Kosovës dhe si po braktiset tash nga të rinjtë
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se për 24 vitet e lirisë, Kosova ka shënuar progres të madh përpara. Sipas saj, çmimi për lirinë e Kosovës ka qenë shumë i madh. Ndërsa, ajo ka thënë se në krijimin e shtetit të Kosovës, herë ka qenë dëshmitare, herë protagoniste. “E rikujtojmë edhe […]
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë se për 24 vitet e lirisë, Kosova ka shënuar progres të madh përpara. Sipas saj, çmimi për lirinë e Kosovës ka qenë shumë i madh.
Ndërsa, ajo ka thënë se në krijimin e shtetit të Kosovës, herë ka qenë dëshmitare, herë protagoniste.
“E rikujtojmë edhe një herë çminim e madh të cilin e kemi paguar për lirinë tonë. E unë luftën nuk e kam parë nga ekranet, fillimisht kam qenë në terren me gazetarë, me mediumet ndërkombëtare e me pas dhe me misionin e OSBE-së në Kosovë. Nga afër e kam pa heroizmin dhe vetëmohimin e vajzave dhe djemve të këtij vendi, që kanë qenë në gjendje me dhanë gjithçka në mënyrë që një ditë me ardhë radha mu që me nënshkru deklaratën e Pavarësisë së Kosovës”, ka deklaruar Çitaku.
Si ndiheshe si 19 vjeçare që të ishte besuar zëdhënëse e një subjekti politik në kohën e pasluftës?
“Nuk mendoj që kam qenë plotësisht e vetëdijshme për barrën e madhe që kam pasur mbi supe. Mirëpo për mua angazhimi atëherë në politikë nuk ka qenë zgjedhje e kalkuluar, nuk është që jam ulur e kam menduar a është më mirë të merrem me politikë apo me shkencë, apo me art apo me gazetari, por e kam ndjerë si thirrje, si detyrim që kam ndaj vendit dhe ndaj atyre burrave dhe grave që kanë punuar shumë deri në vetëmohim që ne pastaj të jemi të lirë”, ka rrëfyer ajo.
“Kosova në qershor të vitit 1999, ka qenë e rrënuar e shkatërruar, pa infrastrukturë, pa institucione, pa njerëz. E mbaj mend menjëherë pas hyrjes së trupave të NATO-s, secili në mënyrë të vullnetshme, pa ndonjë organizim[ nga vendet perëndimore] u kthyen në Kosovë. Ka pasur të tillë që u është ofruar qëndrimi në vende të treta siç është Gjermania, Zvicër, Amerikë e kështu me radhë, por hoqën dorë edhe të gjithë u kthyen në Kosovë. Sigurisht që atëherë ëndrrat dhe shpresat kanë qenë më të mëdha. Ndoshta jo në proporcion me mundësitë dhe realitetin, se as Roma nuk është ndërtuar për një ditë”, ka shtuar ajo.
Sipas Çitakut, ndërtimi i shtetit merr kohë, edhe ajo refuzon që të jetë pjesë e atyre njerëzve që shohin vetëm zi.
“Ndërtimi i shtetit merr kohë, i traditës i institucioneve mirëpo unë refuzoj që të jem pjesë e atyre njerëzve që shohin vetëm zi, që janë mohues nihilist. Unë e mbaj mend kur jam emëruar fillimisht zëvendësministre e Punëve të Jashtme e Kosovës, në vitin 2009, krejt çka kam pas unë ka qenë një letër kur ka shkruar vendim për emërim. As nuk kemi pasur zyrë, as personel, as nuk pasur institucion, e sot Kosova ka Ministri të Jashtme, ka ambasada, ka diplomat, tash edhe zgjedhjet mund të organizohen nëpër misionet diplomatike të Kosovës. Pra është shënuar progres”.
Më tej, Çitaku ka thënë se asaj i dhemb kur e sheh migrimin e të rinjve nga Kosova për në vende Perëndimore.
“Mua me dhemb kur shoh [që qytetarët migrojnë nga Kosova] në Prishtinë nuk vërehet shumë, sepse këtu ka njerëz, ka dhe lëvizje të brendshme të popullsisë shumë [nga qytetet lokal drejt kryeqytetit]. Mirëpo kur del nëpër fshatra, apo dhe në qytete të tjera, e sheh sa shumë ka filluar të boshatiset Kosova. Unë e kuptoj që secili prej ka të drejtë që ta kërkojë lumturin … por na duhet me synu me këmbëngulje që lumturinë me ndërtu në Kosovë. Unë e di që ka sfida e ka probleme, qeveritë shkojnë e vijnë, sot jam unë, nesër është tjetri, është normale në demokraci. Mirëpo lojalitetin edhe dashurinë ndaj vendit nuk duhet ta ndërlidhim me pozicionin tonë të përkohshëm politik e partiak”, ka përfunduar Çitaku.















