Vodhën mbi 30 mijë euro në një market në Viti, gjykata ua cakton masën e paraburgimit pesë të pandehurve
Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë personave me dyshimin e bazuar se më një qershor në komunën e Vitisë kishin kryer vjedhje në një market me vlerë prej mbi 30 mijë eurosh në dy raste të ndryshme. Sipas Gjykatës Themelore në Gjilan, të pandehurit kanë kryer veprat penale “vjedhje e […]
Gjykata Themelore në Gjilan ua ka caktuar masën e paraburgimit pesë personave me dyshimin e bazuar se më një qershor në komunën e Vitisë kishin kryer vjedhje në një market me vlerë prej mbi 30 mijë eurosh në dy raste të ndryshme.
Sipas Gjykatës Themelore në Gjilan, të pandehurit kanë kryer veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe grabitje”. Të pandehurit me M.B., G.S., A.M., M.M. dhe Z.M., me përgatitje paraprake dhe planifikim të veprimeve në qershor të këtij viti kanë grabitur një market në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Viti, duke vjedhur 28 mijë euro.
“Gjykata njofton se me datën 01.06.2023, rreth orës 02:00, në rrugën “Dëshmorët e Kombit”, në Viti, marketin “B….”, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete të pandehurit kanë kryer vjedhje të rëndë në dëm të të dëmtuarit A. H., në atë mënyrë që me përgatitje paraprake dhe planifikim të veprimeve, të njëjtit kanë shkuar në marketin e lartcekur, ashtu që fillimisht të pandehurit M. B. dhe G. S. hapin me forcë dyert e marketit, depërtojnë në brendi dhe në zyre të marketit marrin shumë prej 28.000€, e më pas largohen në drejtim të parkingut ku ishin duke i pritur të pandehurit M.M., A.M. dhe Z.M., të cilët ishin duke e siguruar terrenin”, thuhet në njoftim.
Të njëjtit persona, sipas Gjykatës, me 5 nëntor të po këtij vitin, në marketin e njëjtë kanë kryer një tjetër grabitje në vlerë prej 2 mijë e 500 eurosh.
“Arrestimi i të dyshuarve është bërë si rezultat i kontrollit me leje të prokurorit të shtetit në gjashtë lokacione të ndryshme në komunën e Vitisë. Me këtë rast është arritur të sigurohen prova se të njëjtit në bashkëveprim kanë qenë të përfshirë në një rast ‘Vjedhje e rëndë’ i ndodhur me datën 01.06.2023 dhe në një rast ‘Grabitje’ i ndodhur me datën 05.10.2023 në një qendër tregtare në qytetin e Vitisë”, thuhet në njoftim.















