Von Cramon: Ishte gabim i madh që palëve nuk iu kërkua nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se ishte gabim i madh që Kosovës dhe Serbisë nuk iu kërkua nënshkrimi i marrëveshjes së Ohrit

Raportuesja për Kosovë në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon, ka deklaruar se Kosova duhet të bëjë progres në procesin e dialogut para zgjedhjeve të Bashkimit Evropian më 9 qershor.

Ajo ka përmendur edhe marrëveshjen bazike mes Kosovës dhe Serbisë të muajit shkurt, dhe aneksin e zbatimit, për çka ka thënë se BE-ja ka bërë gabim që nuk ka kërkuar nënshkrim nga palët.

Në konferencë për media, deputetja në Parlamentin Evropian ka deklaruar se masat ndëshkuese ndaj Kosovës duhet të hiqen.

“Masat duhet të hiqen sepse kemi dëm kolateral dhe kryetarët e komunave të cilët dëshirojnë të aplikojnë për fonde të Bashkimit Evropian janë duke vuajtur për arsye të këtyre masave. Unë jam kundër dhe do të jem kundër dhe shpresoj që t’i largojmë këto masa sa më shpejt që të është e mundur. Jo të gjithë janë të lumtur me performancën, me të drejtë mendoj se duke krahasuar me shtetet tjera nuk është fer fare”, ka deklaruar Von Cramon

Teksa e ka quajtur vetën shoqe të mirë të Kosovës, ajo ka kërkuar progres më të madh të dialogut para zgjedhjeve në Bashkimin Evropian.

“Gjërat janë shumë dinamike, kemi parë pak progres….Pse unë jam pak në siklet sa i përket kësaj është se ne kemi zgjedhjet më 9 qershor të këtij viti dhe ju i keni parë disa rezultate që partitë e djathta janë duke u fuqizuar, e sidomos të djathtat ekstrem. Një kompozim i ri i Bashkimit Evropian mund të ketë efekt direkt në relacion me Kosovën dhe shtetet tjera të cilat potencialisht mund të jenë edhe shtete kandidate të Bashkimit Evropian. Çfarë është brengosëse për mua është që në pjesën e dytë të vitit 2024 do të kemi presidencën Viktor Orbán të Hungarisë dhe do ta kemi edhe parlamentin e ri. Ku nuk e kemi një fotografi të qartë të shumicës së qartë të përkrahjes sa i përket Kosovës. Unë si shoqe e mirë e Kosovës, dëshiroj të shoh progres brenda këtyre muajve para se të shkojmë në kampanjat në zgjedhje. Pasi Brukseli do të mbyllet dhe të gjithë do të jenë të zënë sa i përket zgjedhjeve”, ka shtuar ajo.

E pyetur për rolin e Bashkimit Evropian në raport me Kosovën e Serbinë, ajo ka thënë se vitin e kaluar është bërë gabim i madh, ku nuk është insistuar për nënshkrimin e aneksit të marrëveshjes.

“Gjithmonë mund të akuzoni pjesën tjetër që nuk janë duke bërë mjaftueshëm, kështu bëjmë ne politikanët edhe në Berlin, e di që e fajësojnë Brukselin për këtë. Për shembull thonë se ‘keni marrë një vendim të gabuar sa i përket kësaj apo asaj politike’. Pavarësisht kësaj, unë mund të them se bashkësia e komunave serbe nuk është diçka e re, ideja për bashkësinë e komunave serbe vjen nga 2013, nuk është e re. Është diçka që ekziston që 11 vjet e që në një pikë të caktuar Kosova duhet të vijë me një propozim të një marrëveshjeje të ratifikuar dhe mendoj se është komunikuar qartë dhe mund të themi pse s’duhet të jetë një implemtim i kapshëm. Mendoj se është bërë një gabim vitin e kaluar sa i përketë Ohrit, duke mos insistuar në nënshkrimin e këtij aneksi dhe marrëveshjes. Dhe mendoj që kjo ka qenë një gabim i madh, mirëpo çka është brenga ime është nëse vonojmë të gjithë procesin, atëherë mund të kemi probleme. Sepse do të kemi zgjedhjet e Bashkimit Evropian që na presin në mes verë”, ka deklaruar ajo.

Tutje, ajo ka mohuar se ka pasur zbutje të termave për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit.

“Unë jo personalisht, mirëpo nuk jam e sigurt se çfarë kanë thënë në fillim në deklaratat e mia që i kam bërë në Twitter, nuk jam e sigurt se di a e kam përmendur fjalën sulm terrorist apo jo. Mirëpo ka qenë një involvim serioz prej grupeve të ndryshme të armatosura nga Serbia dhe ka qenë e rëndësishme të kuptohet se si këto forca të armatosura do të reagojnë dhe si Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të reagojnë dhe a është rrezik i një lufte të shpejtë. Fatmirësisht, ne i kemi ushtarët e KFOR-it këtu dhe mendoj se është mirë që NATO-ja ka vendosur që ta rrisë praninë e numrit të ushtarëve në Kosovë. Kjo ju siguron juve që për një arsye të mirë NATO do të jetë këtu dhe mendoj se është vendim i mirë që NATO të marrë një vendim të shpejtë sa i përketë ngritjes së sigurisë në nivel më të lartë dhe nuk e di”, ka theksuar ajo në konferencë për media.

Po ashtu, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka folur edhe për zgjedhjet në komunat e veriut të Kosovës, për çka ka thënë se të njëjtat duhet të mbahen.

“Unë mendoj se situata është e qartë, kush ka interes që të mbahen këto zgjedhje atëherë këto duhet të bëhen dhe është në dorën e këtyre njerëzve, të cilët janë duke mbledhur të gjitha këto nënshkrime për të filluar procedurën dhe kërkesën për shkarkim. Unë kam dëgjuar se jo të gjithë e dinë se si është kjo procedurë ligjore që duhet të bëhet. Mendoj se duhet të shpjegohet, por në përgjithësi unë nuk mund të them se a është e mundur apo e pamundur. Unë vetëm them se varet nga iniciatorët që të fillojnë t’i mbledhin nënshkrimet për shkarkimin e kryetarëve të tanishëm dhe pastaj të kemi zgjedhje. Dhe 20 për qind të nënshkruesve është pragu që duhet të mblidhen si nënshkrime. Është diçka që mund të bëhet”, ka deklaruar Von Cramon.

Tutje, ka theksuar se është i papranueshëm presioni ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve nga institucionet e vendit.

Gjatë vizitës së saj disaditore në Kosovë, Von Cramon ka folur edhe për lirinë e mediave dhe mostransparencën nga institucionet.

Po ashtu, ka përmendur edhe vrasjen e Liridona Ademajt gjatë vitit të kaluar, ku ka thënë se shpreson që Prokuroria shpejt ta përmbyllë këtë rast dhe të ketë drejtësi për viktimën./KSP

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika