Von Cramon: Kosova dhe Serbia nuk mund të anëtarësohen në BE, pa e zbatuar planin evropian
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, në një intervistë për NOVA, ka theksuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është duke u tallur me deklaratën se ai nuk mund ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën për shkak të dhimbjeve në krahun e djathtë të tij. Por, Von Cramon ka treguar se marrëveshja e […]
Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian Viola von Cramon, në një intervistë për NOVA, ka theksuar se presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është duke u tallur me deklaratën se ai nuk mund ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën për shkak të dhimbjeve në krahun e djathtë të tij.
Por, Von Cramon ka treguar se marrëveshja e Ohrit është ligjërisht e obligueshme edhe pa nënshkrimin e Vuçiqit dhe “tani ajo është pjesë e kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, dhe ajo ka thënë se deklaratat e të parit të Serbisë janë vetëm për konsum të brendshëm politik në Serbi.
“Është për të ardhur keq që flitet në atë mënyrë. Ne i ndoqëm me vëmendje deklaratat e tij para marrëveshjes, të cilat ishin shumë të lavdërueshme, sepse hapën rrugën për arritjen e marrëveshjes. Megjithatë, retorika në fund të fundit dhe tallja me “dhimbje torturuese në dorën e djathtë” u prit shumë keq si në Bruksel ashtu edhe në kryeqytetet kyçe të BE-së”, ka deklaruar Von Cramon.
Më tutje, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara nuk është në dorën e Serbisë, por sipas saj gjithçka varet nga Kina dhe Rusia të cilat mund ta përdorin veton e tyre për ta bllokuar anëtarësimin e Kosovës.
“Jo. Thjesht do të thotë se kontrata është ligjërisht e detyrueshme, e cila ishte një mënyrë për të siguruar vlefshmërinë e saj edhe pa nënshkrim. Tashmë ajo është pjesë e kritereve për pranimin e Serbisë në BE dhe vetëm zbatimi i plotë i saj do t’i mundësojë Serbisë mbylljen e negociatave. Rruga e Kosovës drejt OKB-së nuk ka asnjë lidhje me të”, ka theksuar Von Cramon.















