Von der Leyen: Kosova ta formojë Asociacionin, Serbia ta bëjë njohjen defacto
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin. Në një konferencë për media tha se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse Serbia ta bëjë njohjen defacto ndaj Kosovës. Ajo tha se këtë mesazh do t’ia përcjellë edhe krerëve shtetërorë të Serbisë në […]
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmanin.
Në një konferencë për media tha se Kosova duhet ta formojë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, kurse Serbia ta bëjë njohjen defacto ndaj Kosovës.
Ajo tha se këtë mesazh do t’ia përcjellë edhe krerëve shtetërorë të Serbisë në vizitën e ardhshme.
“Të gjitha këto hapa të suksesshëm arrihen vetëm nëse Kosova dhe Serbia i normalizojnë marrëdhëniet. Janë fusha të caktuara ku duhet të fokusohen të dyja palët, ftojmë Kosovën ta formojnë Asociacionin e Komunave që ka mbetur si draft. Serbia të pranojë një njohje defacto, dialogu i BE-së është i angazhuar në bisedime. Kjo është mënyrë e vetme për të shkuar para, jo vetëm për t’iu qasur planit për rritje, por për një të ardhme në BE”, tha ajo.
E pyetur nëse masat ndëshkuese ndaj Kosovës do të tërhiqen, ajo tha se ka biseduar me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidenten Vjosa Osmani, në lidhje me këtë çështje.
“Kemi biseduar edhe me kryeministrin, kjo është qe çfarë mund të bëhet që masat të tërhiqen. Këtu e kemi draftin për diskutime, kjo është teknike, por është hap i rëndësishëm për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, do t’i hapë dyert në planin e zgjerimit. Palët t’i marrin hapat e duhur për të ecur drejt dhe të mos ketë eskalime”, tha ajo.
Tutje, Von der Leyen tha se BE i dënon fuqishëm, siç i quajti ajo, sulmet e dhunshme në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.
“I dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme të 24 shtatorit. Ngushëllimet më të thella familjes, miqtë e policit Bunjaku, një sulm i tillë i papranueshëm, është në kundërshtim me vlerat e BE-së, kryesit duhet të sillen para drejtësisë”, tha ajo.
Ajo foli edhe për liberalizimin e vizave, duke theksuar edhe një herë se qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm që nga një janari 2024.
“Po flas për liberalizimit, më kujtohet mirë të dyja ne bëmë thirrje të fuqishme për liberalizmin, tash këtë vit pothuajse ia dolëm, që nga 1 janari kosovarët do ta gëzojnë lëvizjen e lirë. Është një mënyrë fantastike t’i afrojmë njerëzit… vjen si rezultat i punës së madhe të Kosovës, gjatë viteve”, tha ajo.















