“Njohja defacto e Pavarësisë së Kosovës është hapi që do të çojë në normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës”, kështu ka deklaruar presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në konferencën për shtyp në Beograd, duke shtuar se zbatimi i Marrëveshjes së rënë dakord në Ohër nënkupton njohjen defacto të Kosovës.

Von der Leyen, në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, i është përgjigjur pyetjes së një gazetareje për të sqaruar këtë çështje, pasi ajo kishte përmendur njohjen defacto të pavarësisë së Kosovës një ditë më parë në Kosovë.

Von der Leyen ka theksuar se ky veprim do të thotë se duhet të zbatohet Marrëveshja e Ohrit, e cila përfshin hapa të ndryshëm, duke përfshirë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia, si dhe themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Për çfarë bëhet fjalë – zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, i cili parasheh hapa të ndryshëm që përfshijnë njohjen e dokumenteve dhe institucioneve të Kosovës nga Serbia dhe çfarë shkon bashkë me themelimin e Asociacionit, që duhet të zbatohet nga Kosova”, ka deklaruar Von der Leyen, transmeton N1.

Ajo ka shtuar se ky veprim është parakushti i domosdoshëm për rrugën evropiane dhe do të hapë rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Në anën tjetër, presidenti Vuçiq ka thënë se njohja e Pavarësisë së Kosovës nuk është çështje e Serbisë dhe se janë të gatshëm t’i përmbushin obligimet e tyre nga dialogu.

“Ne e dimë se cilat janë obligimet tona nga dialogu dhe jemi të gatshëm t’i përmbushim ato”, ka deklaruar Vuçiq.