Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka folur për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë thirrje për respektimin e vendimit të gjykatës dhe duke theksuar se përgjegjësia është individuale.
Von der Leyen, në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Albin Kurti, tha se aktgjykimi ka shkaktuar emocione të fuqishme në Kosovë, ndërsa vlerësoi, siç u shpreh, reagimin e matur të qytetarëve dhe liderëve politikë që kanë bërë thirrje për qetësi.
“Aktgjykimi është dhënë nga një institucion i pavarur gjyqësor dhe mandati i tij duhet të respektohet. Mbrojtja ka të drejtë të apelojë”, tha von der Leyen.
Ajo theksoi se vendimi i Dhomave të Specializuara nuk duhet të interpretohet si gjykim i rezistencës së Kosovës.
“Por një gjë është e qartë, ky aktgjykim ka të bëjë me përgjegjësinë individuale të personave të pandehur. Rezistenca e Kosovës nuk ka qenë në gjykim”, deklaroi ajo.
Ajo tha gjithashtu se duhet respektuar kujtesa për të gjitha viktimat dhe për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ajo përmendi edhe vitin 1999 dhe vuajtjet e popullit të Kosovës gjatë luftës, duke theksuar se Bashkimi Evropian ka qëndruar pranë Kosovës që nga ajo periudhë.