Mosvotimi i buxhetit të Komunës së Prishtinës në kohë për vitin 2025, tanimë ka nisur të japë dëmet e para të saj.

Kjo ka ndodhur me Kuzhinën Qendrore të Kryeqytetit, me aksionar kryesor komunën, e kontraktuar për sigurimin e ushqimit në institucionet para-fillore, ato të mësimit tërë-ditor dhe qëndrimet ditore.

Pagat punonjësve të saj, i janë ekzekutuar tek sot pas një muaji vonese e me ndihmë nga rezervat e biznesit.

“Sot është bërë ekzekutimi i pagave. Për fat të mirë, të gjithë kanë marrë pagat pa përjashtim po normalisht ju e dini se komuna po përballet me bllokadë të madhe nga ana e qeverisë së Kosovës dhe normalisht, ato drejtohen tek ne sepse jemi në kontratë me komunën. Ne i ofrojmë shërbim dhe ajo paguan.  Ne kemi rezervat tona financiare me të cilat manovrojmë në situata më të komplikuara për të mos lënë keq, shkollat dhe çerdhet furnizohen prej nesh po kjo vjen me një moment që edhe ne lodhemi finamciarisht ku duhet të shtyejmë gjanat por jo ti ndërprejmë, siç është rasti me pagat. Nuk lejojmë të reflektohen te fëmijët sepse fëmija 9 muajsh që ushqehet nga ne nuk pyet a e bllokon qeveria komunën apo jo. Ai se ka atë gajle e don ushqimin, për atë jemi përgjegjës. Pastaj i takon qeverisë të mendoj për atë ushqim, për atë fëmijë”, tha Asdren Osaj, Drejtor i Kuzhinës Qendrore. 

Tani Komuna e Prishtinës ka borxh edhe ndaj Kuzhinës Qendrore, vlera e të cilës sipas drejtorit, ndryshon në baza ditore.

“Ne funksionojmë në bazë të faturave që jepen çdo ditë. Sot kemi një pagesë prej komunës që deri në fund të ditës pritet të jetë 260 mijë euro. Nëse më kishe pyetur të premten, kisha thënë se na kanë afro 900 mijë euro por nëse m’pyet masdite të them 500, ose ndoshta edhe zero euro. Sepse pagesat po lëvizin vazhdimisht e kjo si rezultat i bllokimit të buxhetit”, tha Asdren Osaj, Drejtor i Kuzhinës Qendrore.

Qëndrimi i opozitës në kryeqytet tashmë dihet e për ta, Kryetari, Përparim Rama duhet ta ketë zgjidhjen.

“Ne kemi pasur rekomandimet tona për buxhetin, prandaj nuk e kemi përkrah për shkak se drejtoritë e kanë pakësu buxhetin siç është bujqësia, shëndetësi e të tjera të rëndësishme. Prandaj nuk e kemi përkrah por kjo nuk na bën fajtor. Komuna duhet ta ketë një modalitet për të kryer shërbimet që kanë institucionet e ndryshme. Unë kam marrë ankesa edhe nga linjat e autobusëve që kanë kalu në ndërmarrjen e trafikut urban, qe disa muaj nuk kanë marrë paga shkak i miratimit të vonshëm të buxhetit. Barra bie te kryetari Rama”, tha Besart Krasniqi, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje.

Televizioni ka pyetur edhe Komunën e Prishtinës lidhur me atë se cilat shërbime kanë ngecur dhe se si ka në plan ta menaxhoj situatën, por e njëjta nuk ka kthyer përgjigje.

Në ndërkohë, organizatat monitoruese kanë vlerësuar se kyçe në zhbllokimin e situatës mbetet formimi i Kuvendit të Kosovës, proces ky i cili tash e disa muaj, po dështon në vazhdimësi.