Deputetja dhe ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, para fillimit të seancës për media ka thënë se do të takohen me grupin parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje së bashku me Albin Kurtin.

Ajo ka thënë se në këtë takim do të diskutojnë se cila do të jetë qasja e tyre sot në seancën për konstituimin e Kuvendit.

“Mirëpo, një gjë është e qartë: votimi i fshehtë është i paraparë edhe në Kushtetutë, edhe në Rregulloren e Kuvendit, dhe më duket një mënyrë shumë e mirë për ta tejkaluar bllokadën e vazhdueshme të cilën po e bën opozita sot për të dhjetën herë”, ka thënë ajo.

Tutje, Gërvalla është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve se pse nuk po vazhdohet me votim të hapur.

“E provuam ta merrnim, nuk e morëm dot, sepse siç duket opozita nuk ka arritur në radhë të marrë marrëveshje mes vete për krijimin e qeverisë në rast se, siç po supozojnë ata, kryeministri Kurti nuk do ta bënte qeverinë me 61 vota në parlament, dhe prandaj janë të interesuar ta zgjasin ngërçin derisa t’u vijë ndonjë ndihmë – siç duket presin ndonjë ndihmë nga jashtë, se tjetër shpjegim nuk ka”, ka thënë ajo.