Nga stacionet policore, kontejnerët që do të përdoren si qendra votimi në zgjedhjet e së dielës në veri, janë shpërndarë nëpër terren.

Objekte të tilla janë vendosur në 13 lokacione në katër komunat me shumicë serbe.

Dy nga kontejnerët e fundit që do të shërbejnë si qendra alternative votuese në komunat veriore, janë vendosur këtu në Mitrovicë të Veriut, saktësisht në rrugën përballë tre rrokaqiejve.

Dy të tjerë, qytetarët do t’i kenë në dispozicion afër stacionit të autobusëve në këtë komunë.

Pak kilometra tutje, kontejnerë janë vendosur edhe pranë rrugës Mitrovicë-Jarinje në Zveçan, si dhe në Zherovnicë të kësaj komune.

Ata janë sistemuar gjithashtu edhe në Leposaviq dhe Zubin Potok.

Derisa kontejnerët vendoseshin dhe bëheshin gati për përdorim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vazhduar përgatitjet edhe të enjten.

Në Soqanicë të Epërme të Leposaviqit, ky institucion ka mbajtur trajnim për komisionerët serbë.

Trajnimi i rreth 30 komisionereve nga ana e KQZ-së është bërë objektin prapa meje i cili është ndërtuar vite më parë nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Ata kanë marrë udhëzime për t’i kryer përgjegjësitë e tyre sipas ligjit.

Ndërsa trajnimin e komisionerëve shqiptarë, KQZ-ja e ka përfunduar ditë më parë.

Në dispozicion të qytetarëve janë 19 qendra votimi, 6 të rregullta dhe 13 alternative.

Mirëpo, tri ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme, serbët refuzojnë të tregojnë nëse do të votojnë.

“Nuk e di, nuk e di”, ka thënë  njëri qytetar. “Nuk dua të përgjigjem sepse jam student”, ka thënë një tjetër. “Po çfarë zgjedhjesh bre”, thotë tjetri.

E, një nga shqiptarët që jeton në veri është i zhgënjyer me mënyrën se do të mbahen këto zgjedhje.

“Nashta dal po jo me vullnet. Objektet e prindërve tanë na kanë marrë…”, thotë ai.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 23 prillit garojnë 11 kandidatë. Mirëpo, në mesin e tyre nuk është Lista Serbe, e cila ka refuzuar procesin.

Për pasojë, qytetarët serbë janë përballur javëve te fundit me presion për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

Për vizitë në veri, gjatë ditës kanë qenë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe ajo e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, të cilët kanë qëndruar në stacionin policor në Koshtovë dhe pikën e kontrollit te Ura e Bistricës.