Kandidati nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje(LVV) për kryetar të Komunës së Mitrovicës Veriore, Erden Atiq, tashmë ka dhënë votën e tij.

Në një fjalë për media, Atiq ka thënë se është i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën e Veriut po vijnë.

“Unë votova. Sapo e kreva obligimin qytetar. Shprehi mundësinë përmes televizioneve tuaja, që t’iu bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë në numër sa më të madh, të përkrahin kandidatin që është më i miri. Unë jam i bindur që për Mitrovicën e Veriut po vijnë ditë të mira. Kanë përfunduar ditët kur Mitrovica e Veriut është përmendur për konotacion të keq…jam i sigurt që ditë të mira për Mitrovicën e Veriut po vijnë”, ka deklaruar ai.

Aktualisht, në veri të vendit janë duke u zhvilluar zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale për kryetarë të komunave në Mitrovicën e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Rreth 360 është numri i vëzhguesve të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), për të vëzhguar zgjedhjet e së dielës, më 23 prill, që do të mbahen në katër komunat e veriut të Republikës së Kosovës.

Nga 44 sa kanë qenë në të kaluarën, kësaj radhe janë 19 qendra votimi, ku shumica prej tyre, të improvizuara në kontejnerë.

Numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19, me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta, me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative, me gjithsej 28 vendvotime.

Për zgjedhjet në veri do të shtypen 43 mijë e 500 fletëvotime.

Që të tri komunat, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku, kanë mbetur pa kryetarë të komunave që nga nëntori i vitit të kaluar. Kjo pasi serbët braktisën institucionet e Kosovës për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

Në garë për kryetarë të këtyre komunave janë 10 kandidatë nga tri subjekte politike, prej të cilave, vetëm një nga komuniteti serb.