Në emisionin “Five”, i ftuar ishte edhe Mentor Vrajolli nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, i cili komentoi arrestimin e ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet serbe. Vrajolli e konsideroi këtë rast si një akt të rrezikshëm që përfaqëson një shkallë të re të eskalimit në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Pak nga ajo që është raportuar deri më tani, e vetmja bazë që është përmendur për arrestimin e tij ka qenë fakti që është polic. Kjo përbën një shkallë të re të eskalimit në raportet mes Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi ai. Sipas Vrajollit, qëllimi i institucioneve serbe është të barazojnë Policinë e Kosovës me grupet ilegale terroriste, duke e paraqitur arrestimin si një përpjekje për të delegjitimuar institucionet e sigurisë së Kosovës.

 “Deri më tani ka pasur disa raste të cilat janë trajtuar si eskalime, por gjithmonë është dhënë shpjegimi se ndoshta këto mund të mos kenë ndodhur në territorin e Kosovës. Komuniteti ndërkombëtar, në njëfarë forme, e ka përqafuar narrativën serbe se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë,” tha Vrajolli.

Vrajolli theksoi se ky veprim konfirmon edhe një tjetër realitet të hidhur – se Serbia, sipas tij, po e mbron hapur grupin terrorist që ishte i përfshirë në sulmin në Banjskë. “Kosova duhet patjetër të kërkojë një reagim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar. Çfarëdo neglizhence ndaj këtij akti do ta minojë seriozisht procesin e dialogut,” përfundoi ai.