Inatet për uljen e pagës Këshilli Gjyqësor e Këshilli Prokurorial i Kosovës nuk i tejkaluan as për takimet për vrasjen e gruas shtatzënë brenda hapësirave të QKUK-së.

Në takimin e grupit ndërministror që u mbajt në Ministrinë e Drejtësisë, e u diskutua për veprimin e institucioneve përgjegjëse në këtë rast, munguan përfaqësuesit e dy institucioneve kryesore të sistemit të drejtësisë.

RTV Dukagjini nuk ka marr përgjigje gjatë ditës, në lidhje me mungesën e KGJK-së e KPK-së në takim, por javën e kaluar ata vendosën ta bojkotojnë punën dhe takimet qeveritare pas vendimit për ulje të pagave.

“Nuk kam koment për veprimet e tyre”, ka thënë Albulena Haxhi, ministre e Drejtësisë.

Haxhiu, një pjesë të përgjegjësisë për këtë vrasje e ka hedhur edhe tek këto institucione të drejtësisë, duke thënë se po të kishte veprime të duhura dhe me kohë nga Prokuroria, ky rast mund të parandalohej.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu

“Në momentin që do të verifikohet dështimi institucional, do të ketë dorëheqje dhe shkarkim….”, ka shtuar Haxhiu.

Në këtë takim të pranishëm ishin zyrtarë nga Zyra e Kryeministrit, MPB-ja, e nga qendrat për punë sociale, ndërkohë që ministrja tha se kanë informacione të tjera që lidhen me rastin, por nuk mund t’i bëjnë publike shkaku i hetimeve.

35 vjeçarja e cila u vra pasditen e së martës, para Klinikës së Gjinekologjisë, kishte urdhër mbrojtje nga Prokuroria, për shkak se kishte raportuar bashkëshortin e saj për dhunë muaj më parë.