Ekipi i Forenzikës po bën ekzaminimin e vendit të ngjarjes në Banjë të Malishevës, ku pak pas orës shtatë të mëngjesit, u vra Avni Basha.

Veprën e rëndë dyshohet se e kreu Isuf Zogaj, dikur koleg në një vend pune, i cili u vetdorëzua në polici.

Prova kryesore në këtë rast janë pamjet nga kamerat e sigurisë, të cilat e kanë kapur gjithë ngjarjen.

Ato tashmë janë në duart e autoriteteve përgjegjëse. Radio Televizioni Dukagjini i ka parë këto incizime.

Aty shihet i dyshuari Isuf Zogaj teksa me armë zjarri shtien disa herë në trupin e Avni Bashës, i cili nuk arriti t’u mbijetoj plagëve.

Menjëherë pas këtij veprimi, Zogaj shihet teksa largohet nga vendi i ngjarjes.

Destinacion e kishte familjen e tij, që ndodhet pak kilometra larg Banjës.

Këtë e ka konfirmuar kryetari i fshatit Bellanicë, Hysen Hoxha.

“Familja e kanë pritur shumë rëndë, normal. Nuk kanë informacione çka ka ndodhë, vetëm që ka ardhë tek shtëpia, ka thënë që e kam bërë një vepër edhe ka shku nuk ka bisedu asgjë. As vëllai i tij nuk din asgjë, asnjë informacion as që ka pasur ndonjë të keqe me atë djalë, apo diçka tjetër. Nuk ka asnjë dijeni, presim nga organet e drejtësisë”, ka deklaruara i.

Hoxha ka treguar se bashkëfshatari i tij kishte qenë kolegë me të ndjerin Basha në një kompani private ndërkombëtare që funksionon në Kosovë.

Për shumë vite, të dy punuan në projekte infrastrukturore, kurse bashkëpunimin e kishin vazhduar edhe pasi u larguan nga ajo kompani.

Ndërkohë, prej mëngjesit e deri në mesditë, njësite të ndryshme të Policisë së Kosovës kanë qëndruar në vendin e krimit.

“Njësitet e nevojshme policore, si dhe prokurori i shtetit kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes dhe aktualisht janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore. Mund të ju them se i dyshuari me vendim të Prokurorit të shtetit është ndalur për 48 orë”, ka thënë Sheremet Elezaj – Zëdhënës i Policisë së Gjakovës.

Viktima e këtij rasti është nga komuna e Suharekës.