Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Naim Murseli dhe Granit Plava janë dënuar me burgim të përjetshëm, kurse Kushtrim Kokalla është dënuar me 30 vjet burgim.
Të akuzuarit nuk kanë qenë të pranishëm në sallën e gjyqit gjatë shpalljes së aktgjykimit, pasi më herët kanë deklaruar se nuk dëshirojnë të marrin pjesë në këtë fazë të procesit.
Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal me burgim të përjetshëm, duke e cilësuar vrasjen si të planifikuar dhe të organizuar, ndërsa mbrojtja kishte kundërshtuar akuzat, duke pretenduar mungesë të provave direkte.
Sipas aktakuzës, Murseli bashkëshorti i së ndjerës, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro.
I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.
Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin.
E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.
Tom Dodaj, i cili dyshohet se ua ka shitur armën Naim Murselit dhe Granit Plavës për 280 euro, ka pranuar fajësinë për veprën penale.
Gjykata Themelore e ka dënuar atë me 5 vjet burgim, ndërsa Gjykata e Apelit ia ka ulur dënimin në 3 vjet burg.
Në seancën fillestare të mbajtur më 31 janar 2025, Naim Murseli ishte deklaruar i pafajshëm, Granit Plava nuk ishte deklaruar lidhur me fajësinë, ndërsa Kokalla, që fillimisht s’kishte pranuar të deklarohej, më vonë gjatë shqyrtimit ishte deklaruar i pafajshëm për rastin.