Klina u trondit mbrëmjen e së enjtes nga një vrasje që ndodhi rreth kohës së iftarit. Atje mbeti i vrarë një 23-vjeçar dhe u plagosën dy vëllezërit e tij, si pasojë e të shtënave me armë zjarri. Nga ky rast janë arrestuar pesë persona.
Ngjarja kishte ndodhur në Klinë-Gjakovë, më saktësisht në fshatin Volljakë, ku një person, kishte mbetur i vdekur dhe dy të tjetër janë plagosur.
Ky rast kishte ndodhur rreth orës 20:43 minuta, atëherë kur edhe ishte njoftuar Policia se në Klinë ka pasur të shtëna armësh dhe të plagosur.
Pasi e përfunduan iftarin bashkë me familje në një restorant, viktimat u përballën me të dyshuarit në parkingun e restorantit, ku ata gjuajtën me armë dhe qëlluan në dy vëllezërit, por fatkeqësisht njëri nga ta nuk arriti t’iu bëjë ballë plagëve të marra.
Rastin për RTV Dukagjinin e ka konfirmuar Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë për Rajonin e Pejës, i cili ka shtuar se dy të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi ka thënë se personat e plagosur fillimisht janë dërguar në QMF në Klinë, e më pastaj në Spitalin e Pejës, dhe se nga plagët e marra, njëri nga të plagosurit ka vdekur.
“Rreth orës 20:43 Policia është njoftuar se ka të shtëna me armë zjarri dhe dyshohet për të plagosur. Me të arritur në vend të ngjarjes, është konstatuar se dy persona janë të lënduar. Janë dërguar në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Klinë, pastaj janë dërguar në emergjencën e Pejës. Pas pak kohe, mjeku kujdestar e ka konfirmuar vdekjen e njërës viktimë”, ka deklaruar Gashi.
Pos policisë, në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe dy prokurorë nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore të Pejës.
Policia është duke vijuar hetimet, ndërsa raportohet se personi që ka vdekur dhe i plagosuri janë vëllezër.
Po ashtu raportohet se ata ishin pritur në parkingun e një restoranti në rrugën Klinë-Gjakovë ku ishin duke qëndruar së bashku me familjarë të tjerë.