Është parkingu i sallës së dasmave ku do festohej bashkimi i dy familjeve, por ky manifestim, nisi tragjikisht mbrëmjen e së premtes në Bibaj të Ferizajt.

89-vjeçari Sadri Sadriu mbeti i vrarë pasi ndaj tij dyshohet se shtiu me armë zjarri zyrtari policor, Festim Ramadani, i cili nuk ishte pjesë e dasmës.

Për të kryer veprën, i dyshuari i cili nuk ka qenë në detyrë, ka përdorur armën e gjatë zyrtare.

Dukagjini mëson se Ramadani është pjesë e njësisë së patrullimit në Ferizaj.

Lidhur me rastin, policia ka arrestuar edhe një person të dyshuar. E ndaj të dyve, tanimë është parashtruar kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.

“I pandehuri F.R., për motive të ulëta me dashje që ta privojnë nga jeta, sapo vërejnë të ndjerin se hynë në parkingun e lartëcekur, të pandehurit secili me automjete të veta ndalen në vendin e ngjarjes, ku i pandehuri J.M., në dorë ka mbajtur në mjet të fortë (teshlicë) dhe është vërsulur në drejtim të ndjerit, kurse i pandehuri F.R.,  me armën zyrtare automatike shtënë disa herë në të ndjerin S.S., dhe me atë rast vënë në rrezik edhe personat tjerë të cilët kanë qenë së bashku me të ndjerin”.

Mbrojtësi i Ramadanit, avokati Arben Isufi i ka konfirmuar Dukagjinit se klienti i tij është mbrojtur në heshtje gjatë intervistimit nga hetuesit.

Gjatë së shtunës, në stacionin policor ku Ramadani shërbente u suspendua shefi i ndërrimit.

 “Është masë e cila është ndërmarrë nga policia, është masë preventive nuk është masë se zyrtari ka marrë pjesë në rast. E kemi vlerësuar se i njëjti nuk ka monitoruar policët që ka pasur”.

Viktima Sadri Sadriu është xhaxhai i Prindon Sadriu, bashkëshortit të presidentes Vjosa Osmani.

Dorasi i dyshuar, e kishte viktimën burrë të tezes.