Vrasjet e grave, Qeveria akuzon për dështim sistemin prokurorial e gjyqësor

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti fajin dhe përgjegjësinë për vrasjet e fundit ndaj grave, i ka drejtuar tek siç ka thënë ai, dështimi i sistemit prokurorial e gjyqësor. Para mbledhjes së qeverisë, në fjalimin e gjatë të tij, Kurti foli edhe për krimet që ka kryer Serbia në Kosovë, derisa ministrja e Drejtësisë paralajmëroi rishikimin e Kodit Penal

Qeveria e Kosovës - pamje nga mbledhja e 200-të, 18 prill 2024.

Rishikimi i Kodit Penal të Kosovës, po shihet si zgjidhje e Qeverise për të ulur numrin e vrasjeve të grave e rasteve të dhunës në familje.

Në fillim të mbledhjes së qeverisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në fjalimin e tij foli edhe për dy vrasjet e fundit që ndodhën në Kosovë, duke lënë fajtor sistemin gjyqësor e prokurorial.

“Ajo që ndodhi të premten dhe të martën, këto krime kundër grave, tregojnë pasojat e ndëshkimeve të ulëta e jo rrallë herë mosndëshkueshmërisë. Tregojnë dështimin e sistemit gjyqësor e prokurorial për vendosje të drejtësisë në shtetin tonë. Dënimet e mangëta, janë shkelje mbi të drejtat e viktimave. Këto, të mbuluara me mungesën e llogaridhënies dhe transparencës në detyrë nga sistemi i drejtësisë, nuk falen nga qytetarët tanë. Si zë i tyre kemi përgjegjësinë të ndërmarrim masa për të vendosur llogaridhënien aty ku është e domosdoshme, e për të kërkuar drejtësinë, me çdo kusht aty ku ajo mungon”, ka deklaruar Kurti.

Kritika për sistemin e drejtësisë pati edhe ministrja e këtij dikasteri, Albulena Haxhiu, e cila tregoi edhe për veprimet që janë duke menduar t’i bëjnë.

“Për shkak të shkallës së ultë ndëshkimore dhe mosveprimit të sistemit prokurorial në raport me personat e dyshuar për armëmbajtje pa leje, neve na duhet që të rishikojmë këtë dispozita në mënyrë që te pamundesojmë që prokurorët t’i neglizhojnë këto raste. Në dy rastet e fundit ka pas armëmbajtje pa leje”, ka deklaruar Haxhiu.

Kryeministri Kurti, në adresimin e tij në këtë mbledhje, foli edhe për krimet e luftës, tek kërkoi nga Serbia që të hapen disa arkiva, për të pagjeturit.

“Duke u mbështetur në marrëveshjen e arritur më 2 maj të vitit të kaluar në Bruksel në takimin e nivelit të lartë, e përsërisim kërkesën për hapje të arkivave të Brigadës së 37-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, përgjegjëse kryesore për shumë masakra në rajonin e Drenicës dhe për fatin e shumë personave të zhdukur në këtë rajon. Na duhet e vërteta e plotë, na duhet përgjegjësia komanduese dhe ekzekutuese, na duhet drejtësia institucionale gjyqësore”, ka thënë Kurti.

Në këtë mbledhje të qeverisë u miratuan 15 pika, ndër to një vendim që lidhet me shpronësimin e pronave të paluajtshme të cilat preken nga zgjerimi i rrugës nacionale, Kijevë – Zahaq, e propozim vendimi për themelimin e Parkut Industrial dhe Teknologjik në Podujevë, me kohëzgjatje prej 99 viteve.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika