Për vrasjen e Bekim Mujës dhe djali 15 vjeçar Arbnor Muja, Xhafer Bardhi ishte dënuar me burgim të përjetshëm edhe nga Themelorja e edhe nga Gjykata e Apelit.

Por shkalla e tretw, Gjykata Supreme i ka hedhur poshtë të dyja këto gjykime dhe e i ka ndryshuar dënimet për të akuzarin për vrjasen e dyfishtë në fshatin Gradicë në Drenas.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftoj se në çështjen penale kundër të akuzuarit  Xh.B., pas seancës së kolegjit te Gjykates Supreme, te  mbajtur më 15 gusht 2024, eshte nxjerr aktgjykimi PA.II.nr.1/2024, me te cilin eshte aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtësit të të akuzuarit Xh.B., dhe eshte ndryshuar aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda PKR.nr.121/2022 i datës 09.10.2023, dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës – Departamenti për Krime të Rënda PAKR.nr.39/2024 i datës 01.03.2024, sa i përket cilësimit juridik dhe vendimit mbi dënimin, ashtu që Gjykata Supreme, gjen se në veprimet e të akuzuarit  përmbushen elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë nga neni 173 par.1, nënpar.1.11 të KPRK-së, si dhe duke e marrë si të vërtetuar veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par.1 të KPRK-së, të njëjtit i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej tridhjetepesë (35) vite, në të cilin dënim do të përfshihet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 06.04.2021 e tutje.

Per shkak se ne aktgjykim jane te perfshire te mitur, bazuar ne Udhezimin administrativ te KGjK-se, 04/2019, nuk mund t’ju krijojme qasje ne aktgjykim“, thuhet nga Gjykata Supreme e Kosovës.

Për vrasjen e 5 prillit 2021, familja Muja kishte pritur proces tjetër gjyqësor e tash thonë se iu është thelluar skajshmërisht pakënaqësia.

“Vendimi që ka marr Gjykata është tmerr, çka janë duke bërë me neve me gjakun e vëllait dhe nipit tem, kjo është tmerr, tmerr, tmerr, tmerr, nuk di çka them, deri ku dojnë me shku nuk e di, ne kemi me vazhdu në atë të drejtën tonë në gjyqin Kushtetues”, ka deklaruar Besim Muja – Vëllai i Bekimit dhe xhaxhai i Arbnorit.

Lidhur me vendimin e Supremes janë kontaktuar edhe avokati i familjes Muja, e po ashtu ai i Xhafer Bardhit.

“Unë nuk kam marrë asgjë me shkrim prej Gjykatës nuk i di arsyet e marrjes së atij vendimi, deri sa nuk kam diçka me shkrim nuk mundet asgjë faktikisht me ju thënë, jam i njoftuar ashtu siç jeni njoftuar edhe ju, por nuk e kam lexu vendimin e Gjykatës Suprem, në çka është bazuar”, ka deklaruar Ndrecë Dodaj – Avokat i familjes Muja.

“Po ti gazetar, unë zyrtarisht ende nuk e kam marr, akt-gjykimin kur te marr akt-gjykimin, besoj që të hënën ma dorëzojnë zyrtarisht, atëherë mund të prononcohem lidhur me çka e kanë bazuar., pse nuk e kan bërë më shumë, a e qoj prap në Gjykatën Supreme edhe një herë, kështu që kur te pranoj zyrtarisht të njoftoj”, ka deklaruar Haxhi Millaku – Avokat i Xhafer Bardhit.

Besim Muja thotë se është i pakënaqur edhe me avokatin e tij të cilin do ta ndërrojë dhe përmes avokatëve ndërkombëtare do t’i ndjekë të gjitha shtigjet ligjore.

“Prokurori thotë shko bo ankesë, le të bëj avokati, avokati, po thotë jo s’ke nevojë me bo se nuk na vyen në punë kurgjo… po në atë rast thotë se nuk mundemi me fitu asgjë në atë punë, edhe jam qe 40 vjet më tha nuk e qes vetën poshtë me bo nëpër Kushtetuta në gjyq”, ka theksuar Besim Muja – Vëllai i Bekimit dhe xhaxhai i Arbnorit.

Për vrasjen për të cilën Gjykata ka konstatuar se ndodhi për shkak të shfytëzimit të një prone që del të jetë publike, Themelorja Xhafer Bardhin e kishte dënuar me burgim të përjetshëm ndërsa djali i tij Amir Bardhi u lirua nga akuza për bashkëkryerje të “vrasjes së rëndë”.