Trupi i pajetë është larguar por patrullat e policisë akoma jo. Shiriti i verdhë e këto njolla gjaku janë dëshmia se një ngjarje e rëndë ka ndodhur mesditën e së shtunës në Prishtinë.
Konfirmimin e parë për vrasjen e një personi e plagosjen e dy të tjerëve e ka dhënë Policia e Koosvës.
“Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informatën për të shtëna me armë zjarri në lagjen ‘Arbëria’ të Prishtinës, saktësisht në një hotel. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe ekipi mjekësor. Bazuar në të dhënat fillestare nga arma e zjarrit lëndime ka pësuar një person, i cili në vendngjarje ka ndërruar jetë, vdekjen e tij e ka konstatuar ekipi mjekësor. Ndërsa, dy persona të tjerë të lënduar (dyshohet me mjet të mprehtë) janë dërguar për tretman mjekësor”, ka deklaruar Policia e Kosovës.
Trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion siç njofton Porkuroria Themelore në Prishtinë.
Aty shtohet se në koordnim me Policinë po kryhen hetime për rastin.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se prokurorja kujdestare nga Departamenti i Krimeve të Rënda ka dalë në vendin e ngjarjes me njësite e tjera relevante. Nga ekipi mjekësor është konstatuar se një person ka ndërruar jetë, ndërsa dy persona të tjerë të lënduar janë dërguar në QKUK për trajtim mjekësor. Pokurori i Shtetit ka urdhëruar që trupi i pajetë të dërgohet në IML për obduskion, derisa në koordinim me policinë janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për t’i ndriçuar rrethanat e këtij rasti”, ka dhënë sqarime Prokuroria Themelore Prishtinë.
Nga Emergjenca ku po trajtohen dy të lënduarit nuk kanë pranuar të flasin para kamerës, duke thënë se kanë urdhër të prerë për mos tu deklaruar, por drejtori Nasër Syla ka njoftuar se njëri nga të lënduarit është në gjendje më stabile dhe tjetri në gjendje më të rëndë.
Përderisa nën masa të rrepta sigurie ruhej emergjenca, televizioni merr vesh se i plagosuri që është në gjendje për të dhënë deklaratë nuk ka thënë asnjë fjalë pa praninë e avokatit të tij.
Nga burime të afërta me zhvillimet, Dukagjini mëson se motivi i plagosjeve dhe vrasjes lidhet me fajde.