Autoritetet iraniane kanë konfirmuar vrasjen e kreut të njësisë së Inteligjencës së Gardës së Revolucionit Islamik, Mohammad Kazemi, pas një sulmi ajror izraelit në Teheran.

Sipas agjencisë së lajmeve Tasnim dhe televizionit shtetëror iranian, së bashku me Kazemin janë vrarë edhe zëvendësi i tij, Hassan Mohaqeq, si dhe komandanti Mohsen Baqeri.

Lajmin e ka konfirmuar edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili në një intervistë për televizionin amerikan Fox News deklaroi: “Mund t’ju them se kemi zyrtarin e tyre kryesor të inteligjencës dhe zëvendësin e tij në Teheran”.

Ndërkohë, autoritetet iraniane kanë njoftuar se numri i përgjithshëm i viktimave nga sulmet izraelite ka arritur në 224.

Të dielën, edhe Izraeli ka qenë cak i sulmeve. Në qytetin Haifa u raportuan goditje ndaj një objekti banimi, por ende nuk ka të dhëna për viktima./BBC