“Vuçiq, je totalisht i izoluar”, 24 eurodeputetë thirrje BE-së: Nisni hetimet për manipulim të zgjedhjeve në Serbi

24 deputetë nga gjithë Evropa kanë nënshkruar një letër, përmes së cilës kërkojnë hetim të pavarur për manipulim në zgjedhjet e fundit në Serbi, që nxorën fitues partinë e Aleksandër Vuçiqit

Shefja e KE-së, Ursula von der Leyen, gjatë fjalimit vjetor në Parlamentin Evropian. Fotografi nga arkivi.

24 deputetë nga gjithë Evropa kanë nënshkruar një letër, përmes së cilës kërkojnë hetim të pavarur për manipulim në zgjedhjet e fundit në Serbi, që nxorën fitues partinë e Aleksandër Vuçiqit.

Lajmi është bërë i ditur nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut, Michael Roth, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ku, ndër të tjera, thotë se “Vuçiq është totalisht i izoluar”.

“I dashur President Aleksandër Vuçiq, kjo s’është as komplot dhe as fushatë socialiste.Ju jeni totalisht i izoluar! 24 deputetë nga e gjithë Europa i bëjnë thirrje BE-së që të hetojë në mënyrë të pavarur akuzat për mashtrim dhe të bëjë rekomandime për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme në Serbi”, ka shkruar ai.

Në letër këta deputetë evropianë thonë se e duan Serbinë brenda një dekade në BE, por se për këtë duhet një demokraci funksionale në Serbi.

“Në hijen e pretendimeve për manipulime masive zgjedhore gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe lokale serbe që u zhvilluan më 17 dhjetor 2023, i bëjmë thirrje BE-së të kryejë një hetim të pavarur për të gjitha parregullsitë zgjedhore të raportuara dhe pretendimeve për mashtrim”.

“Qëllimi ynë i përbashkët është ta shohim Serbinë si anëtare të Bashkimit Evropian brenda kësaj dekade. Një kërkesë e domosdoshme për këtë është një demokraci funksionale dhe shteti ligjor. Manipulimet masive zgjedhore të vëzhguara nga misioni ndërkombëtar për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhguesit e pavarur të shoqërisë civile janë shkelje të qarta të parimeve të zgjedhjeve të lira, të barabarta dhe të fshehta dhe të cilat s’janë në pajtim me këtë kërkesë. Kjo ngre shqetësime të mëdha për legjitimitetin e rezultateve zgjedhore në nivel kombëtar dhe veçanërisht në lidhje me zgjedhjet për Kuvendin Komunal të Beogradit”, thuhet në letër.

Deputetët evropianë thonë se këto ngjarje dhe reagimi represiv i shtetit pas tyre, tregojnë një përshkallëzim të mëtejshëm të zhvillimit autokratik të vendit.

Nënshkruese e letrës është edhe deputetja e zëshme britanike për çështjet në Ballkanin Perëndimor, Alicia Kearns, si dhe kryetari i Komisionit të Punëve të Jashtme i Ukrainës, Oleksandr Merezhko.

Po ashtu, deputetë nënshkrues janë edhe nga shtete të tjera, përfshirë Francën, Italinë, Republikën Çeke, Kroacinë, Irlandën etj.

Shija e redaktorit

Hapet sezoni turistik në Shëngjin, sporte ujore dhe parashuta spektakolare...

Sezoni turistik në Shëngjin është hapur zyrtarisht me një ceremoni festive që mblodhi pushues, qytetarë dhe vizitorë të shumtë në bregdetin e njohur të...

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Të fundit nga rubrika