Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka diskutuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në lidhje me situatën e komunitetit serb në Kosovë dhe çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Në një postim në Facebook, Vuçiq ka bërë të ditur gjatë bisedës telefonike me Scholz-in e ka informuar për “gjendjen e vështirë të serbëve në Kosovë dhe mungesën e përgjegjësive të Prishtinës në formimin e Asociacionit”.

Megjithatë, nuk ka sjellë asnjë provë për pretendimet e tij.

“Shkëmbyem mendime për të gjitha çështjet delikate në kontekstin e ngjarjeve aktuale globale, dhe veçanërisht diskutuam për vendin dhe rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe rrugën evropiane të vendit tonë. Kancelarin e informova në detaje për situatën pothuajse të patolerueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien këmbëngulëse të Prishtinës për të përmbushur obligimet e pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht lidhur me formimin e Asociacionit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai, gjithashtu, e ka garantuar kancelarin gjerman se Serbia do ta ruajë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Vuçiq, gjatë bisedës me Scholz-in, po ashtu i ka kërkuar Gjermanisë mbështetje në rrugën e integrimit evropian.

“Ritheksova se Serbia vazhdimisht promovon intensifikimin e aktiviteteve diplomatike në kontekstin e të gjitha konflikteve aktuale dhe çështjeve të hapura që rëndojnë Evropën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilat i ka treguar gjithmonë në të gjitha forumet dhe nismat e deritanishme”, ka shkruar Vuçiqi mes të tjerash në rrjetin social Facebook.