Vuçiq dhe Orban vëzhgojnë stërvitjet ushtarake në Serbi

Liderët e Serbisë dhe Hungarisë kanë vëzhguar stërvitjet ushtarake në Serbi më 22 prill, ku janë shfaqur armë vdekjeprurëse

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Foto: Vesna Andjic (RFE/RL)

Liderët e Serbisë dhe Hungarisë kanë vëzhguar stërvitjet ushtarake në Serbi më 22 prill, ku janë shfaqur armë vdekjeprurëse. Këto stërvitje ushtarake u mbajtën në kohën kur lufta në Ukrainë po vazhdon dhe rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me tensione.

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, arriti në Serbi në një vizitë të paparalajmëruar. Ai u mirëprit nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, që tha se ishte i lumtur që “edhe një herë të mirëpres një mik të madh të Serbisë”.

“Raportet serbo-hungareze janë në nivelin më të lartë në historinë e shteteve tona”, shkroi Vuçiq në Instagram.

Të dy liderët mbajnë lidhje politike dhe ekonomike me Rusinë, pavarësisht agresionit të Rusisë në Ukrainë. Raportet e tyre me Rusinë kanë qenë shkak i mospajtimeve me shtetet evropiane dhe Shteteve të Bashkuara.

Edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Vuçiq ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë, apo që publikisht të dënojë luftën në Ukrainë.

Edhe pse Hungaria është anëtar i BE-së dhe NATO-s, Orban ka kritikuar sanksionet ndaj Rusisë, që lidhen me luftën. Qeveria e tij po ashtu ka thënë se nuk do të arrestonte presidentin rus, Vladimir Putin, nëse ai do të hynte në Hungari, pavarësisht se ndaj liderit rus ka një urdhërarrestim të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për krime të pretenduara të luftës në Ukrainë.

Stërvitjet ushtarake të së shtunës u mbajtën në një aeroport ushtarak në periferi të Beogradit. Në këto stërvitje u shfaqën avionët luftarakë të prodhimit rus, MiG-29 dhe helikopterët Mil, por edhe sistemet kundërajrore ruse dhe dronët, që Serbia ka pranuar së fundi.

Rritja e arsenalit ushtarak të Serbisë ka rritur shqetësimet në mesin e disa shteteve fqinje, që kanë shprehur frikën se mund të kërcënohet paqja e brishtë në rajonin që ishte mbërthyer nga luftëra të përgjakshme në vitet ’90.

Vuçiq tha se komandantët ushtarakë serbë po shikojnë se si po zhvillohet lufta në Ukrainë dhe po planifikojnë blerjet e ardhshme të pajisjeve ushtarake, në përputhje me rrethanat.

“Serbia, asnjëherë në historinë e saj nuk ka pasur ushtri më të fortë”, tha Vuçiq.

Stërvitjet ushtarake u mbajtën një ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, shtet që ka shpallur pavarësinë më 2008. Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur.

Mbajtja e zgjedhjeve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, kanë rritur frikën për incidente të mundshme. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, nuk merr pjesë në këto zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre. REL

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika