Vuçiq: Duam zbatim të marrëveshjeve, por s’mund ta pranojmë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin në OKB
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, por sipas tij, nuk mund ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB. “Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato […]
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Serbia është e gatshme t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet, por sipas tij, nuk mund ta pranojnë pavarësinë e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në OKB.
“Serbia ka thënë qartë se dëshiron që të gjitha marrëveshjet të zbatohen, nga ajo bazë e vitit 2013 e deri te ato më vonë në Bruksel dhe Ohër, dhe ne gjithmonë kemi theksuar vetëm një gjë, e cila dihet – ajo është se Serbia nuk mund të pranojë anëtarësimin në OKB apo pavarësinë e Kosovës”, tha Vuçiq.
Vuçiq u tregua kundërthënës kur tha se i pranon marrëveshjet, por jo edhe anëtarësimin e Kosovës në OKB.
Kjo për shkak se në nenin 4 të marrëveshjes së Brukselit thuhet se “Palët vazhdojnë me supozimin se asnjëra nga të dyja nuk mund të përfaqësojë tjetrën në sferën ndërkombëtare ose të veprojë në emër të saj” dhe se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.
Ndryshe, në njoftimin e Qeverisë së Kosovës, thuhet se Kurti ka ritheksuar edhe një herë se është i gatshëm ta nënshkruajë marrëveshjen bazike për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë dhe po ashtu atë për Asociacionin, apo siç thuhet në njoftim “draftin e ofruar nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike”.
Një gjë të tillë, sipas Qeverisë së Kosovës, e ka refuzuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka kërkuar që “që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit, si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët më 21 tetor 2023”















