Vuçiq me narracionin e zakonshëm të frikës për një shpërthim afër kufirit me Hungarinë, opozita e quan spektakël politik
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si zakonisht edhe njëherë ka ngritur alarm. Kësaj radhe për një mjet shpërthyes të gjetur pranë gazsjellësit që lidh Serbinë me Hungarinë, duke paralajmëruar rrezik për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale. Sipas tij, dy pako me eksploziv dhe detonatorë janë zbuluar pranë vendbanimit Velebit, në veri të Vojvodinës, afër gazsjellësit […]
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si zakonisht edhe njëherë ka ngritur alarm. Kësaj radhe për një mjet shpërthyes të gjetur pranë gazsjellësit që lidh Serbinë me Hungarinë, duke paralajmëruar rrezik për infrastrukturën energjetike dhe sigurinë rajonale.
Sipas tij, dy pako me eksploziv dhe detonatorë janë zbuluar pranë vendbanimit Velebit, në veri të Vojvodinës, afër gazsjellësit “Balkan Stream” teksa shtoi se autoritetet po marrin masa të rrepta sigurie dhe se infrastruktura po ruhet “në mënyrë që as një zog të mos kalojë”.
“Në çdo rast, kjo ndryshon shumë edhe në marrëdhëniet tona. Po e ruajmë stacionin kompresor sikur në Kragujevac dhe Nish, në mënyrë që as një zog të mos mund të kalojë. Kjo ndodhi në veri të Vojvodinës dhe shpresoj që mjeti shpërthyes të largohet pa viktima dhe pasoja tragjike,” shkroi Vuçiq.
Ai gjithashtu theksoi se në rast të ndërprerjes së furnizimit me gaz, pasojat do të ndiheshin si në Hungari ashtu edhe në veri të Serbisë, duke e paraqitur situatën si një kërcënim serioz për stabilitetin energjetik.
Siç shkruan N1, kryeministri hungarez Viktor Orbán ka thirrur mbledhje të Këshillit të Mbrojtjes, ndërsa zyrtarë pranë tij kanë përforcuar narrativën për rrezik ndaj infrastrukturës strategjike.
Megjithatë, reagimet nga opozita në Serbi kanë qenë të ashpra, duke e vënë në dyshim seriozitetin e situatës.
Nënkryetari i Lidhjes Socialdemokrate të Vojvodinës, Aleksandar Olenik, e ka cilësuar ngjarjen si një “shfaqje të dobët” dhe përpjekje për të krijuar panik publik.
Sipas tij, kjo mund të jetë një tentativë për të devijuar vëmendjen nga çështjet e brendshme dhe për të ndikuar në zhvillimet politike në Hungari, duke i dhënë mbështetje kryeministrit Orbán.
Ndërkohë, edhe deklaratat nga përfaqësues të komunitetit hungarez në Serbi, që e lidhin rastin me një “përpjekje për rrëzimin e Orbánit”, kanë shtuar më tej tonet politike të situatës.
Pavarësisht alarmit të ngritur nga autoritetet, mbetet e paqartë nëse ka pasur një rrezik real për gazsjellësin apo nëse bëhet fjalë për një tjetër episod të politizuar në rajon.















