Vuçiq: Ndryshime tektonike në veri të Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, “kanë ndodhur ndryshime tektonike”.

“Dje, populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiq për gazetarët më 24 prill.

Vuçiq tha gjithashtu se të dielën u zhvillua një “kryengritje politike, paqësore e popullit serb”.

“Kam frikë se ky është preludi i një krize shumë më të madhe dhe më të thellë në muajt dhe vitet në vijim”, theksoi lideri serb.

“Ne nuk kemi nevojë për ndonjë konflikt me NATO-n, nuk jemi të aftë për këtë, por nuk jemi në një situatë që të lejojmë poshtërimin e mëtejmë të popullit tonë. Situata vetëm sa do të ndërlikohet”, shtoi Vuçiq.

Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.

“Nën një, [zgjedhjet e 23 prillit] janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Sipas Vuçiqit, zgjedhjet e 23 prillit ishin “referendum” për serbët që jetojnë në veri, për “të treguar se kë nuk duan në veri të Kosovës”.

Në zgjedhjet për kryetarët e rinj të Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut, nuk morën pjesë partitë serbe, por vetëm një kandidate e pavarur.

Lista Serbe – partia kryesore e serbëve në Kosovë – përveç se nuk mori pjesë në zgjedhje, bëri thirrje edhe për bojkotimin e tyre.

Dalja në zgjedhje ishte pak më shumë se 3 për qind, dhe dy komuna u fituan nga kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe udhëheqjen e dy të tjerave i morën kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës.

Komunat në veri mbetën pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga të gjitha institucionet, për shkak të një plani të Qeverisë së Kosovës për t’i zëvendësuar targat jolegale serbe me ato të Kosovës.

Lideri serb akuzon QUINT-in për “favorizimin”  e Kosovës

Vuçiq po ashtu foli për dialogun me Kosovën që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se “nuk ka fare dialog substancial”, duke akuzuar shtetet e QUINT-it se favorizojnë Kosovën.

“Ne nuk bisedojmë. Marrim letra të imponuara që gjithmonë duhet të jenë në favor të Prishtinës, sepse QUINT është i tillë, përkrah pavarësinë e Kosovës pak a shumë, por gjithmonë është në favor të tyre”, deklaroi Vuçiq/REL.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika