Vuçiq në fundjavë në Paris, do të takohet me Borrell, Lajçak dhe Macron

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të vizitës së tij në Paris do të takohet me presidentin francez, Emmanuel Macron, përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak

Aleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë





Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka njoftuar se do të jetë pjesë e Forumit të Paqes në Paris.

Ai ka theksuar se në kuadër të kësaj vizite do të takohet me homologun e tij francez, Emmanuel Macron.

Pos me Macron, presidenti serb do të takohet edhe me përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, si dhe të dërguarin special të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

“Në dy ditët e ardhshme, do të kem takime në Paris me Josep Borrel dhe Miroslav Lajçak. Do të shohim se sa shumë do të mbahen bisedime atje”, ka deklaruar Vuçiq, raporton B92.

“Kam anuluar një mori vizitash, përfshirë atë në Katar për nisjen e Kupës së Botës në futboll, për shkak të situatës në vend”, ka shtuar ai, duke treguar se në plan është edhe një bisedë me presidentin e Francës, Emmanuel Macron.

Të mërkurën e nëntë nëntorit, Vuçiq ka ndarë dekorata për ish-drejtorin e Drejtorisë rajonale të policisë në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq dhe ish-shefin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicën Veriore, Aleksandër Filipoviq.

Ai ka folur edhe lidhur me tërheqjen e serbëve të Kosovës nga institucionet vendore.

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Valmir Elezi, në një përgjigje për Portalin Dukagjini ka thënë se KQZ-ja e ka pranuar tashmë kërkesën për rekomandimin e emrave për plotësimin e vendeve të lira në Kuvendin e Kosovës.

Për këtë Vuçiq ka thënë se “ata mund të sjellin kë të duan, por nuk mund të ndryshojnë Gjuriqin dhe Filipoviqin, nuk mund të zëvendësojnë 300 persona që u larguan nga institucionet në Kosovë”.

Ndryshe, të shtunën e pesë nëntorit, përfaqësuesit e Listës Serbe kanë vendosur për bojkotimin e institucioneve të Kosovës.

Pos zyrtarëve policorë, punonjësve të gjykatave dhe institucioneve të tjera, dorëheqje kanë dhënë edhe kryetarët e komunave veriore dhe Goran Rakiq, nga pozita e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës.

Ky vendim është marrë pas një takimi të zhvilluar në mesditën e së shtunës në Zveçan.

Njoftimi vjen pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriutNenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS.





Shija e redaktorit

 Themelorja lë në fuqi aktakuzën ndaj dy ish-ministrave Endrit Shala...

Gjykata Themelore në Prishtinë ka refuzuar kërkesat për kundërshtim të provave dhe për hudhje të aktakuzës, të parashtruara nga mbrojtja e dy ish-ministrave të...

Ambasada britanike për njohjen e Kosovës nga Sudani: Një moment...

Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë përmes një postimi në Facebook e ka uruar Kosovën për njohjen e marrë nga shteti afrikan, Sudani. Ambasada...

Sudani e njeh pavarësinë e Kosovën

Sudani, shtet në verilindje të Afrikës, e ka njohur pavarësinë e Kosovës të shtunën. Lajmin për njohjen e Kosovës nga Sudani e ka dhënë e...

Të fundit nga rubrika