Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën.

Ai ka thënë se policia serbe “ka arrestuar tre policë të Kosovës 1.8 kilometra larg kufirit”.

“Janë arrestuar 1.8 kilometra larg vijës administrative në rrugën Orahovë-Gjilicë, ushtria jonë ka qenë 20 kilometra larg vendit të arrestimit të forcave speciale të Kosovës”, ka deklaruar ai për Radio televizionin e Serbisë (RTS).

Ai ka thënë se janë të gatshëm t’i ofrojnë të gjitha të dhënat dhe provat, duke pretenduar se policët kosovarë të kidnapuar nuk janë rrahur, keqtrajtuar apo shpërfytyruar, në të kundërtën, sipas tij, me atë që ndodhi me serbët e arrestuar nga policia e kryeministrit Albin Kurti.

“Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë të gjitha të dhënat dhe provat. Ata nuk janë rrahur, keqtrajtuar apo shpërfytyruar siç ka ndodhur me serbët e arrestuar nga policia e Kurtit”, ka deklaruar ai.

Pamje të policëve kosovarë të kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor 2023. Foto te publikuara nga mediat serbe.

Gjatë ditës së mërkurë, tre policë kufitarë të Kosovës janë rrëmbyer nga njësia speciale policore e Serbisë brenda territorit të vendit.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka deklaruar se pretendimet se ata ishin arrestuar brenda territorit të Serbisë, nuk janë të vërteta.

Policët ishin patrullues kufitarë dhe kryenin detyrën e tyre në një pikë statike në territorin e Kosovës për të parandaluar kalimin e grupeve kriminale dhe kontrabandën, duke përfshirë dyshime për armatim në atë zonë.

Vuçiq ka thënë se “jemi në udhëkryq se a do të vazhdojmë të kemi paqe ose jo”.

Ai ka akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se me do kusht dëshiron të “shkaktojë luftë dhe konflikte”.

“Do të shohim se cilat ishin qëllimet e vërteta të të arrestuarve”, ka deklaruar ai.

Njësia Speciale e Policisë së Kosovës dhe forcat e KFOR-it, tashmë kanë shkuar në vendin e ngjarjes ku janë kidnapuar tre zyrtarët policorë nga xhandarmëria serbe.

Bashkë me ta, është edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Zëdhënësi i Bashkimi Evropian, Peter Stano, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, ka deklaruar se BE është në kontakt me Kosovën, Serbinë dhe KFOR-in, për të kuptuar se çfarë ka ndodhur saktësisht në lidhje me rrëmbimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës nga xhandarmëria serbe.

“Ne jemi – si çështje urgjente – në kontakt me të dyja palët, si dhe me KFOR-in, për të përcaktuar se çfarë dhe si ka ndodhur saktësisht”, ka thënë ai.

Më tej, Stano u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të përmbahen nga veprimet që mund të ngritin tensione, teksa kanë përsëritur thirrjen për depërshkallëzim të situatës në veri.

Lexo edhe: Policia e Kosovës publikon hartën e pozicionimit të policëve që u rrëmbyen nga Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje që policët të lirohen menjëherë dhe pa asnjë kusht.

Ajo ka theksuar se kidnapimi i tre zyrtarëve policorë brenda territorit të Kosovës është agresion nga ana e Serbisë.

Dhe sipas saj, ky akt dëshmon edhe njëherë se Serbia nuk është e interesuar për paqe e stabilitet në rajon, por për të shkaktuar destabilizim të Kosovës dhe gjithë rajonit.

Ndërsa, kryeministri Kurti, ka thënë se kidnapimi i zyrtarëve policorë në veri të Kosovës paraqet një hakmarrje nga ana e Serbisë për arrestimin e djeshëm të kriminelit Millun Millenkoviq i njohur si “Llune”.