Vuçiq rikthen retorikën e Millosheviqit, sulmon Kosovën dhe NATO-n përmes narrativës së viktimizimit serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka përdorur një gjuhë të ashpër nacionaliste gjatë përkujtimit të viktimave serbe të operacionit ushtarak kroat “Oluja”, duke përsëritur narrativa historike të ngjashme me ato të përdorura nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit gjatë viteve të ’90-ta.

Duke folur në Mrkonjiq Grad, Vuçiq deklaroi se Serbia “nuk do të lejojë më kurrë” përsëritjen e “Olujës” dhe se vendi është mjaftueshëm i fuqishëm për të mbrojtur popullin e tij. Ai e paraqiti Serbinë si kinse palë të dëmtuar në shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, duke mohuar përgjegjësinë e Beogradit për luftrat e viteve të ’90-ta.

“Serbët nuk e shkatërruan shtetin e përbashkët, ne vetëm donim ta ruanim atë”, tha Vuçiq, duke akuzuar Kroacinë për nisjen e konflikteve.

Retorika e Vuçiqit rikthen elemente të diskursit politik të epokës së Millosheviqit, ku Serbia paraqitej si mbrojtëse e serbëve jashtë kufijve të saj dhe konfliktet në ish-Jugosllavi shpjegoheshin kryesisht përmes narrativës së viktimizimit.

Në fjalimin e tij, Vuçiq sulmoi edhe mbështetjen ndërkombëtare që Kroacia mori gjatë luftës nga vendet perëndimore, duke përmendur SHBA-në dhe vendet evropiane si faktorë që ndihmuan operacionin “Oluja”.

Kjo qasje përkon me narrativën e vazhdueshme të Beogradit kundër rolit të Perëndimit në konfliktet e viteve ’90, përfshirë edhe kundërshtimin ndaj NATO-s për shkak të ndërhyrjes së vitit 1999 në parandalimin e spastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë.

Në të njëjtin tubim, lideri i Republika Srpskas, Millorad Dodik, vazhdoi me akuza ndaj Kroacisë dhe Perëndimit, duke e cilësuar operacionin “Oluja” si agresion dhe duke pretenduar se ai ishte organizuar me ndihmën e ekspertëve amerikanë.

Dodik sulmoi edhe Bashkimin Evropian, duke deklaruar se Evropa nuk duhet t’i përcaktojë rrugën Republika Srpskas, ndërsa përdori një gjuhë që vë në pikëpyetje vetë funksionimin e Bosnjës dhe Hercegovinës si shtet multietnik.

Ndërkohë, patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, bëri thirrje për tejkalimin e ndarjeve dhe urrejtjes, duke kërkuar që kujtimi i viktimave të mos shndërrohet në burim përçarjeje.

Të fundit nga rubrika