Vuçiq thotë se Serbia së shpejti prezanton një sistem antidron të blerë nga Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar se Beogradi do të prezantojë një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, në Festën Kombëtare të Serbisë më 15 shkurt në qytetin Nish. Vuçiqi nuk ka specifikuar kur e ka marrë sistemin, por ka theksuar se është në duart e tyre dhe se është paguar më herët

Sistemi rus anti-dron, Repellent. Fotografi ilustruese.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi të martën se Beogradi do ta prezantojë muajin e ardhshëm një sistem rus për mbrojtje ndaj dronëve, të quajtur Repellent, të cilën e ka blerë kohë më parë nga aleatja e vet, Rusia.

Siç thotë ai, prezantimi i tij do të bëhet në Festën Kombëtare të Serbisë, më 15 shkurt, në qytetin jugor Nish.

Vuçiqi nuk tregoi se kur e mori Serbia saktësisht sistemin e ri, por shtoi se “ai është në duart tona”, dhe se Serbia e ka paguar për të shumë kohë më parë.

Gjatë një vizite në kazermën Topçider në kryeqytetin serb më 30 janar, Vuçiqi kishte thënë se janë ndarë para nga buxheti i Serbisë për “701 sisteme komplekse të armëve nga industria vendase” dhe se “më shumë se 850 të tjera do të prokurohen në vitet e ardhshme”.

Ai përsëriti se Serbia është një “superfuqi rajonale e tankeve” dhe se Serbia është “afër kompletimit të baterisë së tretë të sistemit raketor të mbrojtjes ajrore, FK-3, nga Kina”.

Vuçiqi njoftoi për sistemin e ri antidron disa javë pasi Shtetet e Bashkuara e pranuan një kërkesë nga Kosova për blerjen e raketave antitanke Javelin, e cila do të shqyrtohet nga Kongresi amerikan, vendim të cilin lideri serb e cilësoi si një “zhgënjim i madh”.

Serbia e deklaron veten si një vend ushtarakisht neutral dhe blen armë si në lindje, ashtu edhe në Perëndim.

Ajo synon anëtarësimin në Bashkim Evropian, por është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli për shkak të bashkëpunimit me Rusinë dhe Kinën në fushën e mbrojtjes.

Që nga viti 2016, Serbia ka blerë vazhdimisht pajisje ushtarake dhe armë nga Rusia.

Megjithatë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, asnjë kontratë e re për prokurimin e armëve nuk është lidhur. Vuçiqi deklaroi në mesin e shtatorit 2022 se një pjesë e dërgesave të mëparshme nuk kishin mbërritur për shkak të luftës në Ukrainë.

Në mesin e atyre dërgesave të mëparshme, në atë kohë u përmend edhe sistemi antidron, Repellent.

Për shkak të pushtimit të Ukrainës, Rusia është nën sanksione nga Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vende të tjera perëndimore. Serbia refuzon t’i respektojë këto sanksione./ REL

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika