Vulinit nuk i lejohet të fluturojë mbi Bosnje dhe Hercegovinë

Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë

Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i dhanë leje zëvendëskryeministrit të Serbisë, Aleksandar Vulin, për të fluturuar me helikopter në Pale, afër Sarajevës, njoftoi Qeveria e Serbisë.

Vulin duhej të merrte pjesë në një festë të kësaj komune, të njohur si Vellika Gospojina, dhe të vendoste lule në Sheshin e Republikës Sërpska për luftëtarët serbë që humbën jetën në luftën e viteve 1990.

“Edhe pse kabineti i zëvendëskryeministrit të Serbisë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ambasada e Serbisë i kanë dorëzuar në mënyrë të rregullt dhe me kohë të gjitha informatat e nevojshme dhe dokumentet mbështetëse, e madje kanë deklaruar qëllimin e vizitës, autoritetet në Federatë, me heshtjen dhe mospërgjigjjen e tyre, nuk e kanë dhënë pëlqimin për fluturim”, thuhet në komunikatën që transmeton Shërbimi i Ballkanit i Radios Evropa e Lirë.

Në njoftim thuhet, gjithashtu, se Ambasada e Serbisë i ka respektuar të gjitha procedurat e kërkuara, por, pavarësisht kësaj, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk i janë përgjigjur kërkesës.

Deri në publikimin e këtij lajmi, autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë nuk u deklaruan në lidhje me këtë rast.

Vulin, megjithatë, arriti në ceremoninë në Pale, por me veturë zyrtare, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Vulinit nuk iu dha leje për të fluturuar në Bosnje dhe Hercegovinë as më 5 gusht, kur ishte dashur të merrte pjesë në hapjen e një ekspozite kushtuar vuajtjeve të serbëve në Luftën e Dytë Botërore në Prebillovci – një fshat në jug të Bosnjës.

Siç shpjegoi në atë kohë ministri i Punëve të Jashtme i Bosnje dhe Hercegovinës, Ellmedin Konakoviq, Vulinit nuk i është dhënë leja për të arritur në Bosnje me helikopter, pasi kërkesa ka mbërritur shumë vonë dhe se ai nuk ka dashur t’i shkelte procedurat, meqë është person, i cili “e minon integritetin territorial dhe sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës çdo ditë”.

Pas kësaj ngjarjeje, Serbia i dërgoi një notë proteste Ministrisë së Punëve të Jashtme të Bosnje dhe Hercegovinës, duke vlerësuar se një vendim i tillë “nuk është në frymën e marrëdhënieve të mira fqinjësore”.

Vulin arriti në manifestimin në Prebillovci të nesërmen.

Retorika e Beogradit zyrtar dhe Sarajevës është ashpërsuar muajt e fundit.

Një nga arsyet ishte lobomi i autoriteteve në Beograd kundër miratimit të një rezolute të Kombeve të Bashkuara për gjenocidin në Srebrenicë.

Më 23 maj, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi Rezolutën që e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë./Radio Evropa e Lire

Shija e redaktorit

Pengesë vetoja ruse, “tani Kosova ka numër njohjesh për anëtarësim...

Bahamet u bënë shteti i katërt që njeh Kosovën vetëm brenda vitit 2025, duke shënuar një ringjallje të këtij procesi pas një periudhe shterpe...

Ndihmat humanitare nga Kosova për Gazën nisen me anije nga...

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka bërë të ditur se anija e ngarkuar me ndihma humanitare nga Kosova për Gazën është nisur nga porti i...

Dukagjini prezanton serinë e re të lektyrave në Prishtinë: “Kutia...

Shtëpia Botuese “Dukagjini” ka promovuar sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës serinë e re të Lektyrave shkollore për klasat 1–5, në një aktivitet që...

Të fundit nga rubrika