Kur kanë mbetur vetëm edhe pak më shumë se 1 muaj deri në përfundim të vitit, është një komunë e Kosovës që po qëndron keq me menaxhimin e buxhetit publik.

Në Vushtrri, pushteti lokal ka realizuar vetëm 13 për qind të buxhetit për investime  kapitale.

Për këtë komunë, e cila udhëhiqet nga PDK-ja, ka kritika të shumta nga partitë opozitare.

Por, sipas LDK-së pushtetarët shumë kanë harxhuar në shpenzime luksi.

“Sot kur po flasim jemi në muajin e 11, janë të shpenzuara vetëm 13 për qind të shpenzimeve kapitale, fatkeqësisht Vushtrria po del të jetë një nga komunat që ka shpenzuar buxhetin më se paku. Në vitin e kaluar shpenzimet për material për ambulanta kanë qenë 40 mijë euro më shumë se në këtë vit që ish dashtë të jenë të barabarta ose edhe më shumë. Shpenzimet kanë qenë më të mëdha në vizita jashtë vendit në akomodime e dreka e darka”, ka thënë Lahu.

Për përqindjen e ulët të investimeve kapitale, zyrtarët komunalë në Vushtrri kanë një arsye.

“Buxheti është aprovuar me vonesë dhe kjo ka bërë që të ngecë realizimi i buxhetit. Këtë vit si shkak i rritjes së çmimit të karburanteve janë rritur edhe shpenzimet për këtë kategori. Mund të jetë edhe mbi 40 mijë euro që është shpenzua për karburante brenda komunës”, ka theksuar Jashari.

Në vitin 2022, Vushtrria kishte 19 milionë euro buxhet, derisa për vitin 2023 janë paraparë 23 milionë.