Vushtrria me rindërtime për 2024-tën, kryetari Idrizi shpalos planet dhe sfidat

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka shpalosur planet dhe sfidat për vitin që kemi hyrë duke përmendur rindërtimin e sheshit, të cilin e ka cilësuar si “kryeveprën” e vitit 2024

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Buxheti i miratuar për vitin 2024 nga Qeveria e Kosovës ka shkaktuar pakënaqësi në komunitetin lokal, veçanërisht në lidhje me mënyrën se si janë ndarë fondet për komunat.

Institutit GAP ka konstatuar se shuma prej 21.9 milionë eurosh, e destinuar për investime të reja kapitale, është ndarë në mënyrë të pabarabartë, duke shpërndarë 13 milionë euro te katër komunat e udhëhequra nga LVV-ja: Gjilani, Kamenica, Podujeva dhe Shtimja.

Pavarësisht se PDK-ja e drejton komunën e Vushtrrisë, kryetari i kësaj komune, Ferit Idrizi, ka theksuar se përkundër dallimeve politike, ata kanë pasur një bashkëpunim korrekt me qeverinë.

Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë

Në një intervistë për Dukagjinin, Idrizi ka veçuar Ministrinë e Infrastrukturës, Bujqësisë dhe Zhvillimit Rajonal, si një nga Ministritë që ka ofruar përkrahjen e saj.

“Këtë bashkëpunim me projekte konkrete e presim edhe në vitin 2024”, ka shtuar ai.

Ai ka cekur se raporti i Institutit GAP ka konstatuar se komuna e Vushtrrisë ka arritur të realizojë mbi 70 për qind të premtimeve të bëra gjatë dy viteve të qeverisjes së tij.

Prioritetet për vitin 2024 dhe projektet transformuese

Sa i përket prioriteteve për vitin 2024, kryetari Idrizi ka theksuar disa sfida kyçe që janë adresuar me përpjekje të ndërmarra nga qeverisja e tij.

Një nga prioritetet kryesore është rinia, për të cilën, ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në rritjen e bursave dhe vlerës monetare të tyre. Për më tepër, ai ka thënë se ka bërë një përpjekje të veçantë në aftësimin dhe arsimin profesional, duke arritur marrëveshje të rëndësishme me institucione të njohura, siç është qendra gjermane e akredituar “Diakonie” në Mitrovicë dhe York University.

Foto ilustrim, bursa për studentë

Idrizi ka ndarë planet për projektet transformuese në vitin 2024, duke përfshirë ndërtimin e sheshit të qytetit së bashku me një parking nëntokësor. Ai ka shprehur bindjen se kjo do të jetë kryevepra e Vushtrrisë.

“Prioritet kanë qenë edhe bujqit vushtrrias, ku kemi dyfishuar subvencionet për ta, ku vlen të përmendet subvencionimi i qumështit, subvencionimi për krerë dele, dhi, si dhe koshere të bletëve. Ndërsa, për sa i përket vitit 2024, kemi nisur disa projekte transformuese për qytetin e Vushtrrisë, ku një ndër to është ndërtimi i sheshit të qytetit së bashku me parkingun nëntokësor, që do të jetë edhe kryevepra e Vushtrrisë”, ka deklaruar ai.

Qendra e qytetit të Vushtrrisë

Kryetari Idrizi ka adresuar edhe sfidat kryesore me të cilat po ballafaqohet komuna në këtë kohë.

Qentë endacakë, sipas tij, kanë qenë një preokupim i madh, dhe ai ka bërë të ditur se  tashmë ka një plan konkret për ta adresuar këtë çështje në vitin 2024.

“Sfidë kryesore pa dyshim mbetet çështja e qenve endacakë, një problem i cili është i rëndësishëm, jo vetëm për komunën tonë, por për të gjithë vendin. Ne kemi një plan konkret dhe përpjekjet tona do të jenë të orientuara drejt zgjidhjes së kësaj çështjeje,” ka shtuar Idrizi.

Në përgjigje të pyetjes rreth bashkëpunimit me komunat e tjera, kryetari Idrizi ka theksuar se bashkëpunimi është korrekt dhe shumë i afërt.

Foto ilustrim, qentë endacak

Për vitin 2024, ai ka shpallur pritjen e një bashkëpunimi konkret në menaxhimin e çështjes së qenve endacakë me komunat fqinje, duke përfshirë Mitrovicën, Skenderajn, Obiliqin dhe Drenasin.

Në fushën e shëndetësisë, kryetari ka bërë të ditur se kanë investuar në shërbime shtesë për pacientët, duke theksuar një marrëveshje bashkëpunimi me Islamic Relief Kosova për financimin e vizitave shtëpiake për pacientët vushtrrias.

“Ndonëse kemi arritur përmirësime në shërbimet shëndetësore, ka ende shumë për të bërë. Planet tona për vitin e ardhshëm përfshijnë përmirësimin e kushteve infrastrukturore në të gjitha Qendrat Mjekësore Familjare dhe Ambulatorët Mjekësorë të komunës, si dhe rritjen e shërbimeve për pacientët vushtrrias” ka thënë ai.

Qendra e Mjekësisë Familjare, Vushtrri

Në lidhje me zhvillimin ekonomik, kryetari Idrizi ka ndarë se ka zhvilluar vizita zyrtare në vende të ndryshme për të prezantuar potencialin e komunës për investime.

Ai ka njoftuar se pritet një investim prej 110 milionë eurosh në energjinë e ripërtëritshme me mullinj me erë. Megjithatë, ai ka theksuar nevojën për mbështetje nga Ministria e Tregtisë dhe Parlamenti i Kosovës për të realizuar këtë projekt.

Idrizi ka thënë se gjatë vitit të kaluar ka zhvilluar disa vizita zyrtare në Gjermani dhe Turqi, për të prezantuar potencialin e komunës për investime nga këto dy vende të fuqishme. Ai ka shprehur shpresën për të parë rezultate konkrete nga këto nisma në vitin 2024.

“Për vitin 2024, jemi në pritje të një investimi prej 110 milionë eurosh në energjinë e ripërtëritshme me mullinj me erë. Ky është një projekt shumë i rëndësishëm që jo vetëm do të sjellë përparim në infrastrukturën tonë, por gjithashtu do të krijojë vende të reja të punës. Presim mbështetjen e nevojshme nga Ministria e Tregtisë dhe Parlamenti i Kosovës për ta bërë këtë projekt një realitet”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, kryetari Idrizi ka ritheksuar përkushtimin e tij ndaj zhvillimit të komunës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Foto ilustrim, Në Bajgorë turbinat e erës për prodhimin e energjisë

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika