VV-ja akuzon PZAP-në për vendim arbitrar pas refuzimit të kërkesës për përsëritje të votimit me postë
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas refuzimit të ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e cilësoi si të paafatshëm kërkesën për përsëritjen e votimit me postë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Sipas PZAP, ankesa e Vetëvendosjes ishte dorëzuar pas afatit ligjor prej 48 orësh pas përfundimit të numërimit të votave. Në […]
Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar pas refuzimit të ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), i cili e cilësoi si të paafatshëm kërkesën për përsëritjen e votimit me postë në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Sipas PZAP, ankesa e Vetëvendosjes ishte dorëzuar pas afatit ligjor prej 48 orësh pas përfundimit të numërimit të votave.
Në reagimin e saj, Vetëvendosje ka akuzuar PZAP-në për një vendim arbitrar dhe të pashpjegueshëm, duke theksuar se ky institucion po ndërron afatet për të shmangur vendimin për rivotim me postë.
Partia e kryeministrit Albin Kurtit ka kërkuar që të mos anashkalohen shkeljet e shumta dhe manipulimi i procesit të votimit nga ana e LDK-së.
“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP. Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor”, thuhet nga ana e VV-së.
Vetëvendosje ka të drejtë të ankohet ndaj këtij vendimi në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve.
Përveç kësaj, PZAP ka pranuar ankesën e Vetëvendosjes për rinumërimin e 1.631 fletëvotimeve të pavlefshme nga votat jashtë vendit, duke i rekomanduar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) që të rinumërohen ato.
Vetëvendosje fitoi më së shumti vota nga votimi me postë, 51.57 për qind, apo me mbi 31.000 vota.
Lidhja Demokratike e Kosovës arriti t’i sigurojë 30.55 për qind të votave, Partia Demokratike e Kosovës me 9.48 për qind dhe koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma me 3.23 për qind.















